Figura të larta politike nga e majta dhe e djathta janë para dyerve të drejtësisë që prej vitesh ka marrë formën e SPAK-ut, Strukturës së Posaçme Antikorrupsion në Shqipëri.
Një prej emrave më të njohur që po refuzon t'i nënshtrohet dyshimeve për korrupsion nga ky organ është ish-kryeministri dhe presidenti Sali Berisha, tashmë kryetar i demokratëve.
Kolegu Aleksandër Çipa tha në emisionin "3D" të Alban Dudushit në RTSH se dikur të njëjtët politikanë që tani i dalin përballë SPAK-ut, e kundërshtonin atë.
"Unë kam besuar që në Shqipëri jemi në moment tjetër, kur autoriteti i sistemit të drejtësisë është mbi shtatlartësinë e politikës. Vetë kjo klasë politike, e cila u detyrua ta votonte, tashmë është në provën e asaj droje që kishte. Kujtoni hezitimet e gjithë spektrit politik për mosvotimin e ndryshimeve kushtetuese. Sot, sado që të sjellin pretendime se është SPAK, KAPS, është i pashmangshëm dhe nuk është e hijshme që të mos respektohen procedurat," tha z. Çipa.
Sipas analistit Arjan Curi, ka arsye të besohet se SPAK-u mund të ketë gabuar nga ana proceduriale në ndjekjen e dyshimeve të veta, gjë që mund të cenojë procesin e drejtësidhënies.
"E bën nul, e rrëzon të gjithë procesin nëse gjendjen shkelje të aspektit procedurial. Drejtësia është procedurë dhe nëse gjykatat kapin gabime të tilla e kthejnë procesin nga e para, e bëjnë nul. Këto janë procese që lidhen me historinë, jo të tashmen," shtoi z. Curi.
Pedagogu Zylyftar Bregu tha se çështja Berisha dhe e ka futur në ngërç institucionin e SPAK-ut.
"Në rastin Berisha kam idenë se është futur në një ngërç procedurial-juridik, sepse refuzimit të tij për të mos shkuar aty nuk i jep dot përgjigje. A do t'i kërkojë Kuvendit ta zhveshë nga imuniteti dhe a do të vihet përpara një beteje me opinionin publik. Refuzimi nuk është një vepër penale aq e rëndë. Kjo nuk vlen për një deputet. SPAK-u më duket i papërgatitur si institucion për marrjen e hapit të radhës përballë refuzimit të z. Berisha," tha z. Zylyftar Bregu.
Analisti Curi deklaroi në emisionin "3D" me Alban Dudushin se lëvizjet e fundit politike po nxisin "elementë destabilizues antiinstitucionalë".
"Institucione ligjvënëse shtetërore më thanë që mund të jetë ndaluar një celulë që tenton të prishë rendin kushtetues dhe qetësinë. Por prapë po rezervohem, se kam dyshimet e mia. Kapja e një grupi diku afër zonës së qendrës së Tiranës, kjo më shqetëson nëse ka një lidhje apo jo," deklaroi z. Curi.
/rtsh.al/