Zgjerimi i investimeve në sistemin e ujitjes dhe kullimit në sektorin e bujqësisë mbetet prioritet i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.Në njësinë administrative Bërdicë në Bashkinë e Shkodrës ka nisur puna në disa fshatra ku po investohet në ndërtimin dhe rehabilitimin e kanaleve ujitëse. Nga ky investim do të mundësohet vaditja e rreth 1000 hektarësh tokë bujqësore, bën të ditur kreu i njësisë administrative të Bërdicës, Xhavit Pëllumbi.
"Po punohet me tre fronte aktualisht: në Fushën e Stomës, një investim direkt i Bashkisë Shkodër; në Fushën e Lekës, rreth 4 km investim i ri me beton; ndërsa pjesa tjetër ka pastrim, sistemin, vendosje portash, shembje të bankinave," thotë z. Pëllumbi.
Njësia administrative Bërdicë është një zonë me traditë të theksuar në bujqësi dhe blegtori.
Ka 33 vite që në këtë zonë nuk është investuar në sistemin e ujitjes dhe kullimit.
"Ka qenë pothuajse i humbur si gjurmë kanali. Aty po bëhet kanali i ri dhe brenda pak ditëve do të fillojë edhe betonimi," shton administratori i Njësisë.
Ky investim i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Bashkisë Shkodër synon rritjen e rendimentit dhe cilësisë së prodhimeve bujqësore në njësinë administrative të Bërdicës.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/