RTSH 24 Live

Politikë

Begaj takon zv. sekretarin e Përgjithshëm të Fondacionit ‘Konrad Adenauer’: Anëtarësimi në BE prioritet strategjik

4 orë para

Begaj takon zv. sekretarin e Përgjithshëm të Fondacionit ‘Konrad Adenauer’: Anëtarësimi në BE prioritet strategjik

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti të mërkurën në një takim zëvendësekretarin e Përgjithshëm të Fondacionit Konrad Adenauer, Gerhard Ëahlers, i cili shoqërohej nga drejtori i këtij fondacioni në Tiranë, Thomas Kunze.

Presidenti Begaj i përcolli zotit Ëahlers mirënjohjen për ndihmën që Fondacioni Konrad Adenauer ka dhënë për Shqipërinë ndër vite, për kontributin për një shoqëri të drejtë, promovimin dhe ruajtjen e demokracisë, sistemin e drejtësisë, për nismat e edukimit politik, si dhe kodin elektoral.

Gjermania, në vlerësimin e Presidentit Begaj, mbetet mbështetëse e madhe e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.


“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është  prioritet strategjik i Shqipërisë, por mendoj se  zgjerimi i Unionit në Ballkanin Perëndimor është me rëndësi strategjike edhe për vetë Unionin”, – u shpreh Presidenti i Republikës.

Kreu i Shtetit vlerësoi se kujdesi i veçantë që Fondacioni Konrad Adenauer tregon ndaj kujtesës historike të Shqipërisë, nisur edhe nga eksperienca gjermane, është një shembull shumë i drejtë për të mos lejuar përsëritjen e gabimeve të së shkuarës.

Presidenti i Republikës vlerësoi përkrahjen për hapjen e negociatave të anëtarësimit, si dhe rolin pro-aktiv në mbrojtjen dhe mbështetjen e perspektivës së Shqipërisë në BE nga Gjermania, me të cilën Shqipëria ka raporte të shkëlqyera politike dhe ekonomike.

/rtsh.al/