RTSH 24 Live

Politikë

Deputeti Braçe: Pse hesht Avokati i Popullit për armatosjen e fëmijëve me molotovë në protestën e opozitës?

2 orë para

Deputeti Braçe: Pse hesht Avokati i Popullit për armatosjen e fëmijëve me molotovë në protestën e opozitës?

Deputeti socialist, Erion Braçe i bërë thirrje të mërkurën Avokatit të Popullit, si dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, që të reagojnë për shfrytëzimin e të miturve nga opozita “në protestën e dhunshme të së hënës”.

Sipas tij, në protestën e dhunshme u konsumuan një mori krimesh të rënda, si përdorimi i fëmijëve dhe përfshirja e tyre në akte të rënda kriminale, siç ishte gjuajtja me molotovë mbi policinë e institucionet, shkatërrimi me sende të forta i pronës, vepra të rënda penale.  

Në një postim të në rrjetet sociale, Braçja pyet se pse hesht Avokati i Popullit dhe organizatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve dhe se nga kush kanë frikë që “të thonë të vërtetën; të dëshmojnë krimin e tmerrshëm që u bë me fëmijët në protestën e dhunshme të PD-së”.

“Në protestën e dhunshme u konsumuan një mori krimesh të rënda, si përdorimi i fëmijëve dhe përfshirja e tyre në akte të rënda kriminale siç ishte gjuajtja me molotovë mbi policinë e institucionet, shkatërrimi me sende të forta i pronës. Po ashtu, vënia në duar të fëmijëve të armëve vdekjeprurëse si molotovë; sulmi me armë vdekjeprurëse si molotovi ndaj policisë dhe cenimi deri në rrezikim serioz të jetës së tyre; sulmi me zjarr me intensitet të fortë, insistimi për të djegur selinë qendrore të Partisë Socialiste, duke cenuar rëndë lirinë politike në këtë vend”, shkruan Braçe.

Sipas tij, sulmi me molotovë, kur nuk u bë hiç kujdes, sidomos para selisë së PS-së, ku gazetarët u rrezikuan të digjeshin dhe më pas dhuna në rrugë afër qendrës së Tiranës, duke i penguar të bëjnë punën e tyre, ishin akte të rënda.

“Tani kam dy pyetje: E para, Avokati i Popullit, organizatat që mbrojnë liritë e të drejtat e njeriut, të drejtat e fëmijëve, përse heshtin? Përse nuk qëndrojnë para krimeve që u kryen e u dëshmuan publikisht? Nga kush tremben? E dyta, po Policia e Shtetit përse nuk referon përdorimin e fëmijëve dhe përfshirjen e tyre në akte të rënda krimi e terrori? Përse?”, pyet Braçe.

Sipas tij, “në këtë vend, nuk ka ndodhur kurrë të rekrutohen, armatosen e përfshihen në akte terrori fëmijët”

/rtsh.al/