RTSH 24 Live

Politikë

Deputeti i PD-së, Xhelal Mziu shtyu socialisten Milva Ekonomi, Aleanca e Grave Deputete: Akt i dënueshëm

3 orë para

Deputeti i PD-së, Xhelal Mziu shtyu socialisten Milva Ekonomi, Aleanca e Grave Deputete: Akt i dënueshëm

Deputetet e Partisë Socialiste, anëtare të Aleancës së grave deputete të Kuvendit të Shqipërisë reaguan të mërkurën pas një incidenti të shkaktuar ndaj deputetes socialiste, Milva Ekonomi.

Në një njoftim për mediat ato e dënuan aktin duke vënë në dukje se ngjarja e ndodhur sot në Kryesinë e Kuvendit, nga pamjet e regjistruara, tregojnë qartë kur deputeti Xhelal Mziu shtyn me forcë Milva Ekonomin. Sipas tyre, kjo është një ngjarje e shëmtuar dhe e dënueshme.

“Ky akt dhune është një sulm jo vetëm ndaj një kolegeje, por edhe ndaj parimeve që duhet të udhëheqin punën tonë. Kur ky akt i papranueshëm ndodh në ambientet e Kuvendit ndaj një deputeteje grua, është akoma më i rëndë pasi dëmton dinjitetin dhe të drejtat e të gjitha grave dhe vajzave që ushtrojnë funksione publike dhe atyre që kontribuojnë në jetën politike e mbi të gjitha cenon standardet morale dhe etike të përfaqësuesve të zgjedhur”, thuhet në deklaratë.

Sipas tyre, ky akt dhune cenon njëkohësisht edhe institucionin e Kuvendit, si një institucion ku duhet të tregohet me të gjitha format fryma e tolerancës, e respektit, e etikës ndaj kujtdo, e veçanërisht ndaj grave deputete.

Sipas tyre, Kuvendi është vendi ku qytetarët dhe e gjithë shoqëria presin të shohin nga ne modelin e parë të respektit, tolerancës, komunikimit civil dhe që luftojmë jo me forcën e muskujve por me forcën e argumentit.

“Si deputete të këtij Kuvendi kemi detyrimin të respektojmë ligjet dhe standartet që i kemi miratuar bashkarisht, të parashikuara në rezolutat e Kuvendit, si dhe të gjitha detyrimet ndërkombëtare të bëra pjesë e legjislacionit tonë, përfshirë Konventën e Stambollit, Rezolutat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për përgjegjësinë tonë në luftën kundër dhunës ndaj grave, gjuhës së urrejtjes dhe intolerancës”, citohet deklarata.

Më tej, në deklaratë thuhet se akti i sotëm i dhunës ndaj një gruaje në politikë nuk është vetëm një sulm ndaj një kolegeje, por një sulm ndaj të gjitha grave që kontribuojnë dhe luftojnë për një shoqëri më të drejtë që respekton gratë dhe të drejtat e tyre.

Deputetët e opozitës nuk lejuan Ekonomin të marrë pjesë në punimet e komisionit hetimor për Shëndetësinë.

/rtsh.al/