RTSH 24 Live

Politikë

FOTOT/ Kroaci, Samiti “Ukraina-Evropa Juglindore” Rama takon Zelenskin dhe krerë të shteteve pjesëmarrëse

4 orë para

FOTOT/ Kroaci, Samiti “Ukraina-Evropa Juglindore” Rama takon Zelenskin dhe krerë të shteteve pjesëmarrëse

Kryeministri Edi Rama ndodhet të mërkurën në Dubrovnik, Kroaci ku do të marrë pjesë në Samitin “Ukraina-Evropa Juglindore”.

Kreu i qeverisë shqiptare ka ndarë edhe disa foto në rrjetet sociale nga momentet e takimeve me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç, presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, si dhe liderët e tjerë të shteteve pjesëmarrëse në samit.

Në samit marrin pjesë zyrtarë të lartë nga 12 vende të rajonit, përfshirë tre presidentë, pesë kryeministra dhe katër ministra të Jashtëm.

Ky është samiti i tretë në këtë format, pas atij të Athinës të mbajtur në vitin 2022 dhe më pas në Tiranë shkurtin e kaluar, me synimin për të shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e vendeve të Evropës Juglindore për Ukrainën.

Pritet që në fund të punës të miratohet një deklaratë e përbashkët, në përputhje me ato të samiteve të kaluara në Athinë dhe Tiranë.

Pikat kryesore të deklaratës përfshijnë dënimin e agresionit rus, mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës, duke përfshirë Krimenë, mbështetjen për planin e paqes të presidentit Zelensky, integrimin evropian të Kievit dhe anëtarësimin në NATO, kur kushtet ndërkombëtare dhe të brendshme të Ukrainës do ta lejojnë.

/rtsh.al/