RTSH 24 Live

Ekonomi

BE rrit tarifën për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë

30/10/2024

BE rrit tarifën për  automjetet elektrike të prodhuara në Kinë

Bashkimi Evropian ka vendosur të rrisë tarifat për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë deri në 45.3%. 
Ky vendim vjen pas hetimeve të thelluara mbi subvencionet e padrejta dhe ka shkaktuar tensione mes bllokut dhe Pekinit. Tarifat e reja, që do të hyjnë në fuqi të mërkurën, variojnë nga 7.8% për markën amerikane Tesla deri në 35.3% për kompaninë kineze SAIC, duke u shtuar mbi tarifën standard të BE-së prej 10%. 
Komisioni Evropian ka theksuar se këto tarifa janë të nevojshme për të adresuar subvencionet e padrejta që përfshijnë financimin preferencial dhe ndihmat financiare për prodhuesit kinezë, të cilët, sipas bllokut, po përfitojnë nga çmime më të ulëta për lëndët e para dhe bateritë. 
BE-ja vlerëson se kapaciteti i shtuar prej 3 milionë automjetesh elektrike kineze në vit është dyfishi i tregut evropian. Përveç kësaj, BE-ja po përballet me një rritje të importit të automjeteve elektrike me kosto të ulët nga Kina, të cilat përbëjnë 8% të tregut evropian, krahasuar me 1% në vitin 2019, dhe pritet të arrijnë deri në 15% deri në 2025. 
Çmimet e makinave elektrike kineze janë zakonisht 20% më të ulëta se ato evropiane, duke i bërë ato konkurruese. 
Reagimi i Kinës ka qenë i ashpër; Dhoma e Tregtisë e Kinës në BE ka shprehur zhgënjim për masat që i konsideron "proteksioniste" dhe "arbitrare". Pekini gjithashtu ka nisur hetime për importet evropiane të konjakut, bulmetit dhe produkteve të derrit si një masë hakmarrjeje.

Gazetar Artur Mata

/ rtsh.al /