RTSH 24 Live

Politikë

BD shkrihet me LZHK. Shehi: PS-PD po e përçajnë diasporën me fushatat e tyre

8 orë para

BD shkrihet me LZHK. Shehi: PS-PD po e përçajnë diasporën me fushatat e tyre

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Dashamir Shehi, ka bërë me dije se Bindja Demokratike (BD) është shkrirë me partinë që ai drejton.

Shehi dhe koordinatori i BD-së, Fabian Topollaj, deklaruan se bashkimi i forcave mes tyre ofron një opozitë alternative që i ka munguar Shqipërisë.

LZHK ka vendosur që dy partitë, që kemi hyrë bashkë në zgjedhjet e fundit, bashkë me Bindjen Demokratike, të shkrihemi në një. Në kuadrin e riorganizimit kemi vendosur që Arben Muça, me profesion avokat, do të jetë nënkryetari i ri i LZHK”, njoftoi Shehi gjatë një konference për shtyp.

Kreu i LZHK-së hodhi kritika ndaj PS-së dhe PD-së për fushatën që po bëjnë për të marrë votën e diasporës, me takimet e tyre të njëpasnjëshme në vendet ku jetojnë dhe punojnë shqiptarë.

Shehi tha se LZHK-ja distancohet nga këto “mitingje false”, teksa shtoi se partia që ai drejton do ta fokusojë fushatën e vet te rrjetet sociale.

Të gjitha partitë janë turrur nëpër diasporë dhe në fakt po shikojmë që po bëjnë një luftë siç është kjo lufta në Tiranë dhe po i përçajnë ata njerëzit që jetojnë atje që edhe pse mund të mendonin ndryshe, ishin miq bashkë. Kam frikë se pas zgjedhjeve nuk do të jenë më miq pas kësaj fushate që po bëhet. Ne e bëmë ligjin që ata njerëz të votojnë të lirë, por nëse ne i çojmë mentalitetin tonë, frikën tonë, ata nuk votojnë më si shqiptarë të lirë dhe të emancipuar, por si zgjatim i politikës shqiptare. Po ja heqim atyre vlerat që kishin. Ndaj unë nuk kam ndërmend të shkoj në ato mitingje që janë false dhe ata. Është më e rëndësishme që shqiptarët e diasporës të jenë miq atje. Nuk mund të votojnë ata nën presionin e Shqipërisë. Ne si LZHK kemi vendosur që kjo lloj fushate nuk vlen dhe do të shkaktojë dëm. Po i përçajmë”, u shpreh Shehi.

/rtsh.al/