RTSH 24 Live

Aktualitet

Bashkëshorti mbajti peng 2 fëmijët dhe qëlloi me kallashnikov, gruaja: Pinte. Kam frikë kur të dali nga burgu

15/05/2024

Bashkëshorti mbajti peng 2 fëmijët dhe qëlloi me kallashnikov, gruaja: Pinte. Kam frikë kur të dali nga burgu

Bardha Marku, bashkëshortja e 40-vjeçarit Aleks Marku, i cili mbajti peng fëmijët e mitur në një apartament në Shkëmbin e Kavajës mëngjesin e sotëm, ka rrëfyer ngjarjen e rëndë. Ajo ka treguar se bashkëshorti konsumonte alkool, ndërsa shprehet se ajo vetë ka qenë në Itali kur ka ndodhur ngjarja dhe se u kthye në orët e para të ditës së sotme.

Sipas Bardha Markut, ka qenë Policia që e ka njoftuar për ngjarjen, pasi e kanë telefonuar për ta vënë në dijeni mbi gjendjen e fëmijëve. E pyetur për marrëdhënien me bashkëshortin, ajo thotë se ai e dhunonte psikologjikisht dhe se për këtë arsye edhe e kishte denoncuar.

 “Unë e mora vesh pasi më mori Polciia e Durrësit sot në mëngjes sepse unë kam ardhur mbrëmë nga Italia dhe shkova te shtëpia e prindërve. Nuk erdha sepse po të vija në shtëpi, ai ishte i nevrikosur me mua dhe do nervozohej situata më shumë dhe nuk doja të vija në rrezik fëmijët. Kisha vendosur të vija të nesërmen o vetëm dhe t’i thoja Aleks a do mi sjellësh fëmijët apo të marr policinë. Në mëngjes pastaj më mori Policia më tha hajde merr fëmijët se i ke në komisariat. Mendimi i parë ishte që shyqyr që kam mirë fëmijët.

Ne nuk ishim të ndarë, kemi patur konflikte të vogla, por nuk ishim të ndarë. Ne do kthehemi në Lezhë sepse kemi shtëpinë. Kohët e fundit pinte dhe kishim frikë edhe duke dëgjuar lajme çdo ditë dhe nga frika kam shkuar ta denoncoj duke menduar që do ndodhë diçka ndonjë ditë. Fizikisht nuk më dhunonte vetëm psikologjikisht. Fëmijët tani janë mirë edhe psikologët kanë qenë”, shpreh ajo.

Marku kërkon urdhër mbrojte, teksa shprehet se ndjehet e frikësuar nga bashkëshorti në momentin që ai do të dalë nga burgu.

Kur isha në Itali pothuajse nuk komunikoja me fëmijët, nuk mi nxirrte në telefon. Nuk i ka marrë peng fëmijët, ka qenë me miratimin e të dyve. Qëllonte me armë në shtëpi mendoj nga pija. Unë kërkoj urdhër mbrojtje për fëmijët dhe për vete. Kam frikë kur të dalë nga burgu”, tha ajo.

40-vjeçari mbajti peng 2 fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11 vjeç, ndërsa qëlloi edhe me kallashnikov. Për neutralizimin e tij ndërhynë forcat RENEA.

/rtsh.al/