RTSH 24 Live

Aktualitet

Mori peng 2 fëmijët e tij të mitur, 40-vjeçari qëllon me kallashnikov. Ndërhyn RENEA

15/05/2024

Mori peng 2 fëmijët e tij të mitur, 40-vjeçari qëllon me kallashnikov. Ndërhyn RENEA

RENEA ka vendosur në pranga një 40-vjeçar i cili qëlloi me armë nga banesa ku mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur. Pas disa orësh negociata, RENEA arriti të hyjë në banesë dhe ka liruar fëmijët. Gjithçka ndodhi kur policia e Durrësit është njoftuar se dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri kallashnikov në ambientet e një pallati, në një apartament të lëshuar me qira, pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës”.

Sipas policisë, 40-vjeçari mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11 vjeç, ndërsa qëlloi me kallashnikov.

Policia ka kërkuar ndërhyrjen e forcave RENEA,  pasi duhej ndërhyrje e specializuar për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve në banesë dhe të punonjësve të Policisë.

Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para rezultoi se banesa nga ku qëllohej me armë zjarri, ishte marrë me qira javore, nga shtetasi A. M., 40 vjeç, banues në Lezhë dhe se dyshohej se brenda saj ky shtetas mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11 vjeç. Policia e Durrësit kërkoi ndihmën e Repartit Special “RENEA”, pasi duhej ndërhyrje e specializuar për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve në banesë dhe të punonjësve të Policisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

RENEA i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej por ai vijonte të qëllonte nga dritarja e apartamentit.

Në vendngjarje shkoi Reparti Special “RENEA”, i cili i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit. Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e shtetasit A. M., të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës”, thekson në njoftimin e saj policia.

Policia nxori të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë.

Ndërkaq, 40-vjeçari është shoqëruar në Polici, për veprime të mëtejshme procedurale. Për motivet që shtynë 40-vjeçarin në këtë ngjarje, do të japim informacion në vijim.

"Në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 02:30, të datës 15.05.2024, në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, ku shtetasi A. M., 40 vjeç, banues në Lezhë, u neutralizua nga shërbimet “RENEA”, në bashkëpunim me ato të Policisë së Durrësit, pasi mbajti peng 2 fëmijët e tij të mitur (6 dhe 11 vjeç), në një apartament të marrë me qira, dhe qëlloi nga dritarja me armë zjarri kallashnikov, ju infomojmë se:

Pas shoqërimit të tij në ambientet e Policisë, u kryen veprimet procedurale dhe në përfundim të tyre u bë arrestimi në flagrancë i 40-vjeçarit, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Në vijim, lidhur me rrethanat e kësaj ngjarjeje, ju informojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, më datat 14.12.2023 dhe 27.03.2024, kanë referuar në Prokurori, kërkesat për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për bashkëshorten e shtetasit A. M., shtetasen B. M., 32 vjeçe. Në asnjërën nga seancat, 32-vjeçarja nuk është paraqitur në Gjykatë.

Gjithashtu, përsa i përket gjendjes penale të shtetasit A. M., ju informojmë se pas verifikimeve ka rezultuar se në Itali, ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja”.

Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, grupi hetimor vijon hetimet dhe veprimet procedurale, për të përcaktuar nëse 40-vjeçari ka qenë në efektin e lëndëve psikotrope, gjatë ngjarjes, si dhe për të dokumentuar me prova të ligjshme, rrethanat e tjera të këtij rasti", thuhet në njoftimin e policisë. 

/rtsh.al/