RTSH 24 Live

Politikë

Basha sulmon Berishën dhe nënvizon aleancën e PD me SHBA, BM dhe BE

09/06/2023

Basha sulmon Berishën dhe nënvizon aleancën e PD me SHBA, BM dhe BE

Ish kryetari i PD Lulzim Basha ka sulmuar kreun e Rithemelimit Sali Berisha dhe deklaruar se demokratët nuk mund të fitojnë pa një aleancë me SHBA, Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Europian. 

Sipas një statusi në Facebook, zoti Basha gjatë një bisede me ata që ai i quan "qëndrestarë të Partisë Demokratike", akuzoi zotin Berisha për "shpifje e mashtrime", ndërsa tha se ai "për interesa personale dhe të familjes së tij, vendosi të godasë Partinë Demokratike".

"Për të mbuluar dështimin dhe izolimin e tij, ka rinisur të njëjtat sulme, atë që bën ndaj kujtdo që nuk e kontrollon dot" citohet të ketë thënë zoti Basha. "Natën ndan favoret, lejet e ndërtimit, tenderat, përmes oligarkëve të përbashkët me Edi Ramën, ditën del dhe akuzon të tjerët" akuzoi ish kreu i PD kundërshtarin e tij Sali Berisha për bashkëpunim me kryeministrin socialist Rama. 

Zoti Basha tha se Berisha eshtë "shkaktari i kësaj situate në PD, pasi është shpallur non grata nga SHBA për korrupsion dhe minim të demokracisë". "Unë bëra një hap pas, sepse nuk doja një luftë të brendshme, i bindur se prej saj përfitojnë vetëm kundërshtarët! Por ja ku jemi. Asgjë s’ka ndryshuar, madje situata është edhe më keq për demokratët dhe shqiptarët" argumendoi zoti Basha largimin dhe rikthimin e tij pranë partisë më të madhe të opozitës.

Ai tha se "...e ndjej për detyrë t’i përkushtoj energjitë e mija tek një opozitë në shërbim të njerëzve dhe jo interesave të një grupi që ka 30 vjet që përfiton prej saj". "Demokratët sot janë më të qartë se kurrë, që nuk mund të fitojnë pa një aleancë me SHBA, Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Europian, dhe se hallet personale nuk mund të kthehen në pengesë për demokratët dhe shqiptarët që duan ndryshimin" tha ish kreu i PD Lulzim Basha.

/ rtsh.al /