Një ditë para se ligji për Amnistinë Penale të hidhet për votim në Parlament, Partia Demokratike ka paralajmëruar se nuk do e mbështesë "një skandal kombëtar".
Kreu i demokratëve, Lulzim Basha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ligji për faljen është paramenduar prej tij për të ndihmuar "zyrtarë të korruptuar të qeverisë".
"Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme parlamentare dhe është pritshmëria jonë që askush të mos bëhet patericë e këtij akti korruptiv dhe kriminal që synon lirimin dhe lehtësimin e zyrtarëve të korruptuar, të hetuar apo nën hetim, të akuzuar apo të dënuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Nëse ka një tërheqje nga ky qëndrim i papranueshëm dhe skandaloz dhe nëse propozimet tona për amnistimin pa kusht të gjithë protestuesve do të pranohen, sigurisht PD në funksion të interesit më të mirë publik dhe në transparencë të plotë do të rishikojë vendimin e saj," deklaroi z. Basha.
Kryedemokrati renditi disa nga çështjet që implikojnë kabinetin qeverisës, të cilat amnistia do i pastrojë tani.
"Skandali i incineratorëve, skandali Mak Gonigal dhe shumë skandale të tjera... Kjo është përpjekja më skandaloze në 33 vite për të nxjerrë nga përgjegjësia penale zyrtarët e korruptuar për të vazhduar pandëshkueshmërinë. Është ndërhyrje e pastër në punët e drejtësisë, siç është përpjekja për të imponuar një komision kundër SPAK-ut, siç është thirrja publike përmes intervistës së kryeministrit kundër Byrosë Kombëtare të Hetimit. Tashmë duket qartë: zaret janë hedhur. Në njërën anë janë ata që kundërshtojnë reformën në drejtësi, që duan ta vazhdojnë kulturën e pandëshkueshmërisë, ta vjedhin e gërdisin këtë popull pa mbajtur asnjë përgjegjësi penale, dhe nga ana tjetër ka një faktor politik si Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila pa asnjë rezervë dhe pa asnjë kusht i jep mbështetje të plotë SPAK-ut, BKH-së dhe Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në realizimin e misionit për të dërguar para ligjit të gjithë zyrtarët e korruptuar pavarësisht rangut, ofiqit apo emrit," u shpreh z. Basha.
Ligji për amnistinë penale e ka marrë miratimin paraprak në Komisionin e Ligjeve, por duhet të marrë edhe votat e të paktën 84 deputetëve. Shefi i demokratëve tha se kushti i tyre i patejkalueshëm është falja e qytetarëve protestues për të drejtat e tyre.
"Kushti ynë është pranimi i amendamentit tonë për protestuesit, që është edhe në praktikat më të mira të amnistive. Ka të bëjë me njerëz që janë ngritur për pronat e tyre, për familjet e tyre, për shtëpitë e tyre, të përndjekur qartë për bindjet e tyre politike dhe pa diskutim duhet të ishin të parët që duhet të përfitonin nga amnistia penale. Ky është një kusht i patejkalueshëm. Ajo që ka ndodhur është që këta njerëz që janë ngritur shpeshherë viktima të korrupsionit përjashtohen nga amnistia, ndërsa amnistia e qeverisë po targeton zyrtarët e korruptuar të kësaj qeverie, pra jemi në kushtet e papranueshmërisë së plotë të këtij propozimi korruptiv dhe kriminal," tha z. Basha.
/rtsh.al/