RTSH 24 Live

Ekonomi

Banka e Shqipërisë ul normën e interesit, Sejko: Borxhi publik dhe ai i huaj kanë shënuar rënie

06/11/2024

Banka e Shqipërisë ul normën e interesit, Sejko: Borxhi publik dhe ai i huaj kanë shënuar rënie

Banka e Shqipërisë ul me 0.5% normën e interesit. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mërkurën të ulë me 0,5% normën bazë të interesit për lekun, duke e çuar këtë tregues në nivelin 2,75%. Lajmi u bë i ditur nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për shtyp.

Sipas tij, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që të ulë normën bazë të interesit, nga niveli 3% në nivelin 2,75%; normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 2% në nivelin 1,75% dhe normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 4% në nivelin 3,75%.

“Këshilli Mbikëqyrës gjykon se kjo lëvizje do të krijojë kushte monetare më të përshtatshme për të kontrolluar ndikimin që goditjet afatshkurtra të ofertës mund të kenë mbi inflacionin në të ardhmen. Vendimi ilustron gadishmërinë e Këshillit Mbikëqyrës për të reaguar në kohën e duhur dhe në mënyrë simetrike ndaj lëvizjeve të inflacionit në kahun e sipërm dhe të poshtëm të objektivit”, tha Sejko.

Guvernatori u shpreh se, inflacioni po afrohet gradualisht drejt objektivit të BSH-së në nivelin 3%.

“Në këtë kontest, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit”, u shpreh Guvernatori Sejko.

Gjendja ekonomike e vendit

Sejko, gjatë konferencës për shtyp, tha se ekonomia shqiptare dhe treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar e financiar të saj, janë në një trend pozitiv zhvillimi.

Sipas tij, aktiviteti ekonomik ka pasur një rritje solide gjatë tre tremujorëve të parë të vitit, inflacioni është në nivele të ulëta, borxhi publik dhe ai i huaj kanë shënuar rënie, bilancet e sektorit bankar mbeten të shëndetshme, ndërsa kreditimi po shfaq një rritje progresive.

Guvernatori nënvizoi se sipas INSTAT, ekonomia shqiptare u rrit me 4% gjatë gjysmës së parë të vitit.

“Të dhënat indirekte të disponuara sugjerojnë se ky ritëm rritjeje do të vijojë edhe në gjysmën e dytë të vitit. Rritja ekonomike e vitit 2024 është mbështetur në masën më të madhe nga rritja e konsumit familjar dhe e investimeve në ekonomi. Paralelisht me të, edhe zgjerimi i eksportit të shërbimeve ka pasur një ndikim pozitiv, kryesisht në sajë të rritjes së të ardhurave të turizmit. Në aspektin makroekonomik, trendi pozitiv i rritjes është ndikuar nga bilancet e shëndosha financiare të bizneseve dhe të familjeve, nga rritja e të ardhurave, nga optimizmi për të ardhmen, si dhe nga kushtet e favorshme të financimit”, tha Sejko.

Sipas tij, inflacioni i çmimeve të konsumit regjistroi një nivel mesatar prej 2% gjatë tremujorit të tretë, duke shënuar një rënie të lehtë ndaj tremujorit paraardhës.

“Rënia e inflacionit gjatë kësaj periudhe është diktuar nga rënia e çmimit të naftës dhe rritja më e ngadaltë e çmimit të qirave. Nga ana tjetër, inflacioni i çmimit të ushqimeve shënoi një rritje të lehtë. Banka e Shqipërisë parashikon, një rritje të mëtejshme, të qëndrueshme e të vazhdueshme të aktivitetit ekonomik, të shoqëruar me rritje të punësimit e të pagave. Ritmi i rritjes ekonomike pritet të luhatet pranë potencialit në horizontin afatmesëm, duke mundësuar një shfrytëzim të plotë të kapaciteteve prodhuese dhe një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Paralelisht me të, inflacioni pritet të luhatet pranë niveleve aktuale gjatë tremujorit të fundit të vitit, dhe të rritet gradualisht drejt objektivit gjatë vitit të ardhshëm”, deklaroi Sejko.

/rtsh.al/