Banka e Shqipërisë ka blerë afërsisht 249 milionë euro në tregun e brendshëm valutor vitin e kaluar, shkruan Monitor.
Sipas të dhënave zyrtare të raportuara nga banka qendrore, sasia e valutës së blerë është rritur me 75% krahasuar me një vit më parë.
Vetëm gjatë tremujorit të katërt, në këto ankande u blenë gjithsej 66 milionë euro, shumë kjo e përafërt me tremujorin e tretë të vitit.
Ndërkohë, përveç blerjeve të realizuara në ankandet e planifikuara, Banka e Shqipërisë vitin e kaluar ka kryer dy ndërhyrje në treg nëpërmjet blerjeve të drejtpërdrejta, me qëllim për të parandaluar çrregullimet në kursin e këmbimit valutor.
Banka e Shqipërisë bleu përkatësisht pesë milionë euro në datë 9 qershor dhe 12.1 milionë euro më datë 20 korrik, ditë kur euro pati prekur nivelin minimal historik në kursin e këmbimit me Lekun.
Duke përfshirë edhe blerjet që patën qëllim të frenonin rënien e mëtejshme të kursit, Banka e Shqipërisë bleu gjithsej 269.8 milionë euro gjatë vitit 2023.
Sipas kalendarit të ankandeve, për vitin 2024 shuma e blerjeve në tregun valutor pritet të rritej më tej, në intervalin midis 250 dhe 330 milionë eurove.
Për vitin 2024 Banka e Shqipërisë ka parashikuar gjithsej 20 ankande të blerjes së valutës, mes muajve shkurt dhe dhjetor.
( Sipas Monitor )
/ rtsh.al /