Vetëm pak ditë nga vënia në funksion e Unazës së Madhe të Tiranës, zv.kryeministrja Belinda Balluku inspektoi punimet në “Lotin 5” të kësaj vepre infrastrukturore, e cila do të sjellë një impakt të konsiderueshëm në shërbim të qytetarëve, por edhe vizitorëve në kryeqytet.
"Kjo Unazë është e lidhur me të gjitha autostradat: me autostradën e veriut, me atë të Lindjes që vjen nga Elbasani dhe me autostradat që vijnë nga Durrësi. Unaza e Madhe nuk është vetëm në shërbim të banorëve të kryeqytetit, por në shërbim të gjithë vizitorëve që vijnë nga të katra anët e Shqipërisë," deklaroi znj. Balluku.
Balluku vuri theksin tek puna e bërë sa i përket zgjidhjes së problematikave gjeologjike në terrenin ku është ndërtuar ky Lot.
"Loti 5 ka qenë ai që ka pasur problematikën më të madhe. Loti 5 dhe Loti 1, pra ai që lidh Shqiponjën me pjesën tjetër të Unazës, kanë qenë dy Lotet me një ritëm pak më të frenuar se të tjerët," u shpreh ministrja.
Balluku gjithashtu theksoi se vënia në funksion e kësaj vepre po sjell një ndikim të konsiderueshëm në vlerën e pronës në zonat periferike të kryeqytetit.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/