RTSH 24 Live

Botë

SHBA: Rusia mund të jetë përgjegjëse për rrëzimin e avionit azerbajxhanas

16 orë para

SHBA: Rusia mund të jetë përgjegjëse për rrëzimin e avionit azerbajxhanas

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka deklaruar se SHBA ka parë "të dhëna" që tregojnë se Rusia mund të ketë qenë përgjegjëse për rrëzimin e avionit azerbajxhanas më 25 dhjetor, duke vrarë 38 persona.

Kirby nuk dha hollësi të mëtejshme, por u tha gazetarëve se SHBA kishte ofruar ndihmë për hetimin e përplasjes.

Aeroplani mendohet të ketë rënë pasi është goditur nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore ndërsa përpiqej të ulej në Çeçeni, përpara se të devijohej përmes detit Kaspik për në Kazakistan, ku u rrëzua.

Kremlini ka refuzuar të komentojë, por kreu i agjencisë ruse të aviacionit civil tha se situata në Çeçeni ishte "shumë e komplikuar" për shkak të sulmeve me dron ukrainas në rajon.

Kirby tha se provat që SHBA kishte parë shkonin përtej fotografive të qarkulluara gjerësisht të aeroplanit të dëmtuar.

Ekspertët e aviacionit dhe të tjerë në Azerbajxhan besojnë se sistemet GPS të avionit u prekën nga bllokimi elektronik dhe më pas ai u dëmtua nga sulmet ruse të raketave të mbrojtjes ajrore.

Azerbajxhani nuk e ka akuzuar Rusinë, por Ministri i Transportit i vendit tha se avioni ishte subjekt i "ndërhyrjes së jashtme" dhe i dëmtuar brenda dhe jashtë ndërsa përpiqej të ulej.

"Të gjithë të mbijetuarit pa përjashtim deklaruan se dëgjuan tre tinguj shpërthimi kur avioni ishte mbi Grozny, tha ministri i Azerbajxhanit, Rashad Nabiyev.

Nabijev tha se hetuesit do të shqyrtojnë tani "çfarë lloj arme apo më tepër çfarë lloj rakete është përdorur."

Kremlini ka refuzuar të komentojë mbi numrin në rritje të raporteve se avioni i Azerbaijan Airlines u godit nga mbrojtja ajrore ruse.

"Një hetim për këtë incident aviacioni është duke u zhvilluar dhe deri sa të bëhen përfundimet si rezultat i hetimit, ne nuk e konsiderojmë  të drejtë të japim ndonjë vlerësim," tha zëdhënësi Dmitri Peskov.

Autoritetet kazake kanë trajtuar të plagosurit dhe kanë punuar ngushtë me Azerbaixhanin për hetimin.

Raportet në Baku sugjerojnë se si Rusia, ashtu edhe Kazakistani kanë propozuar që një komitet nga Komonuelthi i Shteteve të Pavarura (CIS) – një organizatë rajonale e dominuar nga Rusia – të hetojnë përplasjen, por Azerbajxhani në vend të kësaj ka kërkuar një hetim ndërkombëtar./ BBC

/rtsh.al/