RTSH 24 Live

Politikë

Baku- Rama publikon fotot nga nënshkrimi i 2 marrëveshjeve në sektorin energjetik

12/11/2024

Baku- Rama publikon fotot nga nënshkrimi i 2 marrëveshjeve në sektorin energjetik

Gjatë zhvillimit të COP29, në Baku, Azerbajxhan, u nënshkruan dy marrëveshje mes Albgazit dhe Socar për zhvillimin e infrastrukturës së gazifikimit të qytetit të Korçës, si dhe mes KESH-it dhe gjigandit energjetik të Emirateve të Bashkuara, Masdar, për krijimin e kompanisë së përbashkët publike që do të investojë në Shqipëri e në rajon.

Ka qenë vetë kryeministri, Edi Rama i cili bëri të ditur lajmin, duke ndarë edhe në rrjetet sociale fotot nga nënshkrimi i këtyre dy marrëveshjeve.

“Sot në Azerbajxhan ku nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Albgazit dhe kompanisë shtetërore të naftës në Azerbajxhan, SOCAR, për zhvillimin e infrastrukturës së gazifikimit të qytetit të Korçës dhe marrëveshjen e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe gjigandit energjetik të Emirateve të Bashkuara, Masdar, për krijimin e kompanisë së përbashkët publike që do të investojë në Shqipëri e në rajon në mjediset e Samitit Botëror për Klimën, Cop 29”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Sa i përket nënshkrimit të marrëveshjes mes Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare(KESH) dhe gjigandit energjetik të Emirateve të Bashkuara, Masdar, për krijimin e kompanisë së përbashkët publike që do të investojë në Shqipëri e në rajon, Zëvendëskryeministrja Balluku u shpreh se është një nga më të rëndësishmet në sektorin energjetik me ndikim të gjerë në rajon.

Balluku së bashku me deputetin qarkut të Korçës, Niko Peleshi, deklaroi se projekti do të nisë në vitin 2025. Ajo e cilësoi projektin një lajm të mirë jo vetëm për Korçën, por për të gjithë Shqipërinë.

“Këtu në Baku gjatë zhvillimit të punimeve të COP29 ne patëm edhe një marrëveshje të re me qeverinë e Azerbajxhanit, përsa i përket gazifikimit të Korçës. Është një lajm shumë i mirë ky, i cili ka nisur dhe është ngjizur prej kohësh midis Albgaz të Shqipërisë dhe SOCAR të Azerbajxhanit, por tashmë po bëhet realitet. Planet tona janë që të nisim sa më parë nga puna, duke nisur kështu me të gjithë pjesën inxhinierike tashmë që studimi i fizibilitetit ka mbaruar”.

Sipas Ballukut, parashikohet që ky projekt të nisë gjatë vitit 2025 për tu dorëzuar në vitin 2027.

Ajo çka ne synojmë është që të mbulojmë një rrjet të tërë shpërndarje gjatë gjithë qytetit të Korçës, por nga ana tjetër kryesisht edhe në bizneset të cilat operojnë në këtë qytet. Duhet pasur parasysh sesa më shumë do të shtrihet gazifikimi i Shqipërisë, bazuar në planin strategjik për gazifikimin e vendit, aq më shumë do të ulen kostot përsa i përket këtij produkti që do ti jepet qytetarëve. Në fillim sigurisht shteti do të nisë duke e mbështetur këtë procedurë të re, këtë produkt të ri dhe shërbim të ri, për më pas duke e zgjeruar këtë edhe në zonën e Pogradecit dhe në zonën e Ersekës dhe duke pasur parasysh që ne synojmë që industria të këtë alternativën e zgjedhjes të energjisë, jo vetëm përdorimin e energjisë elektrike, por edhe të gazit, ne parashikojmë që ky gazifikim i vendit të vazhdojë deri në vitin 2030, duke mbuluar pjesën më të madhe të qyteteve të cilat kanë edhe pjesë industriale apo biznese të cilat mbështeten nga industria e gazit”.

Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u takuan sot me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ku nënshkruan edhe memorandumin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Albgazit dhe kompanisë shtetërore të naftës në Azerbajxhan, SOCAR, për zhvillimin e infrastrukturës së gazifikimit të qytetit të Korçës.

/rtsh.al/