RTSH 24 Live

Aktualitet

Avokati Mëngjesi në gjendje të rëndë, dëshmon një prej autorëve: Konflikti lindi për pagesat

30/05/2024

Avokati Mëngjesi në gjendje të rëndë, dëshmon një prej autorëve: Konflikti lindi për pagesat

Gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi vijon të jetë e rëndë, ku ai ndodhet i intubuar dhe në monitorim intensiv në reanimacionin e Spitalit të Traumës në Tiranë.

Avokati u dhunua nga 3 autorë në orët e para të mëngjesit të 29 majit, kur sapo kishte çuar djalin e mitur në kopsht, ndërsa pasdite gjendja e tij u rëndua duke u futur në intubim.

RTSH ka zbardhur dëshminë e të prej autorëve të vetëdorëzuar Dorjan Aliaj, i cili pranoi para hetuesve që ishte pjesë e sulmuesve të avokatit dhe se e kishte ndjekur atë.

“E kishim planifikuar sulmin dhe ndjekur avokatin, dhe rrinin vazhdimisht duke komunikuar me agresorët e tjerë për lëvizjet e tij. Dhuna ka ardhur si pasojë e konfliktit të lindur mes nesh dhe avokatit për pjesën e pagesave të kontratës për pronën”, mësohet të jetë shprehur Dorjan Aliaj.

Gjithashtu nga ana tjetër, Dritan Nano, ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor.

Avokati Sokol Mëngjesi u dhunua barbarisht me një levë hekuri në kokë, goditje që e rrëzoi përtokë duke goditur sërish kokën në tokë, ndërsa autorët vijuan ta gjuanin me shkelma. E gjithë ngjarja ka ndodhur në sytë e shumë dëshmitarëve që ndodheshin në rrugë.

Për ngjarjen policia ka identifikuar 4 autorë: Dorian Alia, Drivald Alia dhe Elton Kasaj dhe Romario Tabaku, ku ky i fundit largoi me automjet autorët nga vendi i ngjarjes.

Për rastin është vetëdorëzuar Dorian Alia, ndërsa 3 të tjerët janë ende në kërkim dhe policia ka vënë një dëmshpërblim prej 20 mijë euro për këdo që ka informacione se ku fshihen autorët. 

Policia dyshon se 3 autorët që janë ende në arrati mund të kenë lëvizur në drejtim të Pukës, Shkodrës dhe Kukësit, nga ku më pas të largohen jashtë vendit.  

Avokati, sipas policisë, është goditur për shkak të detyrës, ndërsa organizator dhe porositës i dhunimit është Dritan Nano.

“Avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në shkallë të parë në Gjykatën e Apelit një familje që kishte të trashëguar një pronë në qytetin e Tiranës, proces që është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij. Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës së nënshkruar. Është shoqëruar Dritan Nano, i cili u ndalua i dyshuar si organizator i kësaj ngjarje”, sqaroi drejtori i Policisë Tiranë, Tonin Vocaj.

Sipas Vocaj, nuk kemi të bëjmë me një rast të dhunimit me pagesë, pasi autorët janë në lidhje krushqie me njëri-tjetrin.

/rtsh.al/