Një 54-vjeçar është plagosur me armë mëngjesin e kësaj të mërkure (6 mars) në fshatin Rrilë të Lezhës.
Sipas informacioneve siguruar nga RTSH, bëhet me dije se 54-vjeçari Agron Puka sapo ka lënë fëmijët në shkollë, në momentin që është qëlluar.
Mësohet se kanë qenë 4 persona bashkëpunëtor të atentatit. Një prej tyre ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit me të cilin po lëvizte Agron Puka. Të shtënat me armë kanë krijuar frikë dhe panik te nxënësit dhe mësuesit e shkollës 9-vjeçare Marash Gjoni.
Dyshohet se atentati ka lidhje me një konflikt të pak ditëve më parë.
54-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë së Njësisë Shkodër kanë mbërritur në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli për identifikimin dhe kapjen e autorit.
“Rreth orës 08:00, në fshatin Rrilë, shtetasi A. P., 54 vjeç, banues në fshatin Rrilë, duke lëvizur me automjet, është plagosur me armë zjarri nga 1 person ende i paidentifikuar. 54-vjeçari është transportuar në spitalin rajonal të Lezhës, ku është në kujdesin e mjekëve (aktualisht jashtë rrezikut për jetën).
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimin, kanë shkuar menjëherë ne vendngjarje, është rrethuar zona dhe janë ngritur pika kontrolli.
Njëkohësisht, në ndihmë të Policisë vendore, janë nisur Forcat Kombëtare të Sigurisë të Njësisë Shkodër.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/