Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i ka dhënë dritën jeshile anëtarësimit të Kosovës në KiE. Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbështetën anëtarësimin e Kosovës, ku votuan pro 131 deputetë, kundër ishin 29, ndërsa 11 abstenuan.
Asambleja rrëzoi amendamentet e propozuara nga Serbia, ndërsa po ashtu u hodhën poshtë edhe amendamente që kërkonin formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe përpara se Kosova të anëtarësohej në KiE
Pas votimit të kësaj të marte (16 prill), Kosova është vetëm një hap larg anëtarësimit në KiE, teksa çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës. Janë këta të fundit që pritet të vendosin përfundimisht në muajin maj nëse Kosova do të bëhet anëtare e organizatës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar me një mesazhi falënderimi për të gjithë deputetët që votuan pro.
“Zëri i evropianëve është dëgjuar! Faleminderit të gjithëve deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që votuan pro anëtarësimit të Kosovës sot. Një falënderim i madh për delegacionin tonë dhe të gjithë ata që mbështesin vazhdimisht popullin e Kosovës. Edhe një hap!”, shkruan Osmani në Twitter.
Ky votim i sotëm, është kundërshtuar gjatë javëve të fundit nga Serbia, ku Presidenti serb Aleksandër Vuçiq (Aleksandar Vucic) urdhëroi ngritjen e një grupi të posaçëm pune për të penguar anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut. Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.
Kosova paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022, pak kohë pas përjashtimit të Rusisë nga kjo organizatë, pas agresionit në Ukrainë.
/rtsh.al/