RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Artan Grubi në listën e zezë të SHBA - Ish-zv.kryeministri: Do të punojë me partnerët për të zbardhur çështjen

10/12/2024

Artan Grubi në listën e zezë të SHBA - Ish-zv.kryeministri: Do të punojë me partnerët për të zbardhur çështjen

Artan Grubi, ish-zv.kryemnistri shqiptar në Maqedoninë e Veriut reagoi pasi u shpall “I padëshiruar” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai tha se do të punojë me miqtë dhe partnerët për të zbardhur plotësisht këtë çështje, ndërsa nënvizoi se transparenca dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike do të vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e çdo veprimi të tij. 

“Si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian, ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht”, - u shpreh Grubi.

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi të hënën listën e zezë ku nga Maqedonia e Veriut shtoi ish-zëvendëskryeministrin nga radhët e BDI-së dhe Enver Bexhetin, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Maqedonisë së Veriut, duke i akuzuar për korrupsion madhor. Partia në pushtet VMRO-DPMNE e kryeministrit Hristijan Mickoski e quajti përcaktimin e Grubit dhe Bexheti një turp të madh për shtetin.

“Gjykatësit e mbështetur nga Artan Grubi dhe BDI-ja dalëngadalë po përfundojnë në listën e zezë të SHBA-ve së bashku me anëtarë të BDI-së”, -thuhet në një komunikatë të VMRO-së. Arben Taravari, drejtues i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët dhe Ministër i Shëndetësisë u shpreh “Ka një lajm për ata të cilët po protestojnë nën çadra para Gjykatës Kushtetuese lidhur me paralajmërimet për degradimin e gjuhës shqipe, se Artan Grubi sapo u shpall persona non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”.

Ndërkohë, Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa dhe njëkohësisht kryetar i komunës së Tetovës theksoi se u vulos edhe nga partnerët tanë strategjik se shumë funksionarë të BDI-së janë të zhytur në korrupsion.”  Ndërsa krahu i Aleancës për Shqiptarët në opozitë, që drejtohet nga Ziadin Sela tha se vazhdimisht ka dënuar dhe denoncuar publikisht lidhjet e gjyqësorit me politikën dhe oligarkinë.

Departamenti i Shtetit futi në listën e zeze Artan Grubin, familjarët e tij dhe Enver Bexhetin për përfshirjen e tyre në korrupsion madhor. Në njoftimin e DASH thuhet se Grubi dhe Bexheti morën ryshfet duke minuar proceset gjyqësore që lidheshin me dënimin e Sasha Mijalkovit, drejtor i Agjencisë për Sigurinë dhe Zbulimin në Maqedoninë e Veriut. Ky i fundit është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së që nga viti 2022.

/RTSH/