Gjykata e Strasburgut kërkoi të martën (25 shkurt) dëmshpërblimin dhe shfajësimin e ish-drejtorit të Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi, duke e konsideruar të pajustifikuar mbajtjen e tij disamujore në paraburgim.
Arrestimi i z. Gëllçi erdhi pas akuzës për "shpërdorim detyre" të ngritur nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), me pretendimin se ish-drejtori ishte përfshirë në lidhjen e një kontrate pa marrë leje nga Autoriteti i Medieve, siç e kërkon ligji, si dhe për formulimin e një shtojce në kontratë që shtynte afatin e saj në favor të palëve të caktuara në tender. Për këto shkelje, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e dënoi z. Gëllçi me 1 vit e 4 muaj burg me arsyetimin se mund të ndikonte te palët ose të ndërhynte në dokumentacion.
Në çështjen Gëllçi kundër Shqipërisë, Gjykata e Strasburgut theksoi se izolimi i gjatë i z. Gëllçi nuk mbështetej ligjërisht.
"Arsyet e dhëna nga autoritetet vendore nuk ishin 'të mjaftueshme' për të justifikuar mbajtjen e tij në paraburgim për periudhën shtatë muaj e njëzet e gjashtë ditë, nga 8 tetori 2021 në 2 qershor 2022. Në këto rrethana, nuk ka nevojë të merret parasysh çështja e kryerjes me kujdes të procesit gjyqësor," thuhet në vendimin e Gjykatës.
Thoma Gëllçi shërbeu për 5 vjet si drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së nga viti 2016 deri në lirimin e tij nga detyra, në maj 2021.
/rtsh.al/