RTSH 24 Live

Politikë

Arrestimi i ish-zyrtarit të FBI, Rama i përgjigjet opozitës: Akuzohet për gjëra që s’kanë lidhje me mua, ndryshe nuk do më kursente SHBA

24/01/2023

Arrestimi i ish-zyrtarit të FBI, Rama i përgjigjet opozitës: Akuzohet për gjëra që s’kanë lidhje me mua, ndryshe nuk do më kursente SHBA

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës për lidhje me ish-zyrtarin e FBI, Charles McGonial, i cili u arrestua për korrupsion në Nju Jork. Në një postim në Twitter, Rama thekson se McGonial është arrestuar për gjera që nuk kanë lidhje me kryeministrin, teksa shton se nëse do të ishte siç pretendon opozita, hetimi në SHBA do t’i kishte zbuluar. Akuzat e opozitës, Rama i konsideron si “gjyq i politikës”.

Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve! Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur. Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë”, shkruan Rama.

Ish-zytari i FBI, Charles McGonigal u arrestua për korrupsion në Nju Jork, i akuzuar se i ka marrë para nga një ish-zyrtar i inteligjencës shqiptare dhe nga një oligark rus. McGonigal akuzohet gjithashtu se ka fshehur nga FBI detajet kryesore të një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017 me ish-zyrtarin e inteligjencës shqiptare, i cili dyshohet se i ka dhënë të paktën 225 mijë dollarë. Opozita akuzoi Ramën për lidhje me McGonigal, duke kërkuar që të nisin hetimet. Deputeti demokrat, Gazment Bardhi dorëzoi edhe një kallëzim në SPAK ndaj kryeministrit Edi Rama, ku e akuzon se ka paguar ish zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, për të sajuar, sipas tij, lobimin e PD-së me paratë ruse. Po ashtu, edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj kërkoi hetim të marrëdhënieve të Ramës me McGonigal, teksa risolli në kujtesë takimin e zhvilluar mes kryeministrit me ish-zyrtarin e FBI në vitin 2017.

/rtsh.al/