RTSH 24 Live

Politikë

Arrestimi i ish-zyrtarit të FBI, Alibeaj: Takimi i Ramës me McGonigal kërkon hetim të thelluar, nevojitet transparencë e plotë

24/01/2023

Arrestimi i ish-zyrtarit të FBI, Alibeaj: Takimi i Ramës me McGonigal kërkon hetim të thelluar, nevojitet transparencë e plotë

Kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj ka reaguar për arrestimin e ish-zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal për përfshirje në transaksione të paligjshme financiare me një oligark rus. Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Alibeaj risjell në kujtesë takimin e zhvilluar mes kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e FBI në vitin 2017 duke kërkuar transparencë të plotë dhe hetim të thelluar, duke e lidhur me transaksionet e paligjshme financiare të kryera nga McGonigal me oligarkët rusë. Zbardhja e kësaj çështje sipas Alibeajt, është mjaft e rëndësishme për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA.

Akuzat e  Departamentit Amerikan të Drejtësisë ndaj ish zyrtarit të lartë të FBI McGonigal për përfshirjen në transaksione të paligjshme financiare me një oligark rus ku bën pjesë udhëtimi i tij në Shqipëri dhe takimi me Edi Ramën në vitin 2017 kërkojnë urgjentisht transparencë dhe hetim të thelluar. Retorika boshe për konsumin e politikës së ditës nuk e zbardh këtë çështje tepër të rëndësishme për marrdhënien e Shqipërisë me SHBA. Zbardhja sa më parë dhe transparenca e plotë është ajo që ndihmon jo vetëm për informimin e saktë të publikut por dhe për ruajtjen e marrdhënies së shëndetshme me partnerin tonë strategjik”, shkruan Alibeaj. Kujtojmë se Kryeministri Rama, në shtator të 2022-shit, në një komunikim online me gazetarët, deklaroi se McGonigal është miku i tij.

/rtsh.al/