RTSH 24 Live

Politikë

Opozita kërkon mbledhje për emisionin e Rai 3, mazhoranca: Histori pabesie, nuk marrim pjesë

26/04/2024

Opozita kërkon mbledhje për emisionin e Rai 3, mazhoranca: Histori pabesie, nuk marrim pjesë

Debati mes pozitës dhe opozitës rreth emisionit investigues të RAI 3 për Shqipërinë Report ka njohur zhvillime të reja.

Deputetja e opozitës Ina Zhupa në emër të grupit parlamentar të PD, duke e cilësuar si një "investigim për lidhjet e forta të krimit të organizuar me qeverisjen e Edi Ramës" i ka kërkuar Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, një mbledhje urgjente. 

Zonja Zhupa ka nënvizuar si shqetësim edhe reagimin e kryeministrit Rama duk e cilësuar s fyerje e fortë ndaj televizionit italian RAI 3, drejtuesve të tij, moderatorit dhe gazetarit të emisionit Report.

Ndaj kësaj kërkese ka reaguar në rrjetet sociale Elisa Spiropali, Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Me doza ironie ajo shkruan se "Plani i ahengut për t’iu gëzuar sulmit mbi Shqipërinë në RAI3, pas mbështetjes së tij me municion nga rruga e humbur e Shpresës së të pashpresëve, qenka i shtrirë edhe përtej kërkesës për interpelancë urgjente me kryeministrin".

Sipas zonjës Spiropali, zonja Zhupa "kërkon të na e vërë përpara në tabaka Shqipërinë e përbaltur nga ai emision italian i gatuar në Tiranë, për të na kërkuar hesap për gënjeshtrat dhe shpifjet e palës që ajo përfaqëson". 

Zonja Spiropali ka deklaruar me këtë rast mospjesmarrjen e deputetëve socialistë në mbledhje, të cilën e konsideron si "ushqimin e Shpresës së tyre me këtë histori të shëmtuar pabesie ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, me të cilët janë deri në fyt të mbytur me borxhe". 


 
/ rtsh.al /