RTSH 24 Live

Botë

Akuzohet se mori 225 mijë dollarë nga agjenti shqiptar dhe se ndihmoi një orligark rus, arrestohet ish-zyrtari i lartë i FBI-së

24/01/2023

Akuzohet se mori 225 mijë dollarë nga agjenti shqiptar dhe se ndihmoi një orligark rus, arrestohet ish-zyrtari i lartë i FBI-së

Një ish-zyrtar i lartë i FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal, i cili mbikëqyrte disa nga hetimet më sekrete dhe më të ndjeshme të kundërzbulimit të agjencisë, është arrestuar nën akuzat se ka marrë para nga një ish-zyrtar i inteligjencës shqiptare dhe nga një oligark rus, Oleg Deripaska. Emri i ish-zyrtarit shqiptar nuk bëhet me dije.

Arrestimi i tij erdhi pas një hetimi nga FBIdhe prokurorët federalë, teksa u akuzua edhe për shkelje të sanksioneve ekonomike që Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Përpara se të dilte në pension në vitin 2018, McGonigal ka qenë agjenti special i ngarkuar me divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork. Në atë post, ai mbikëqyri hetimet e oligarkëve rusë, duke përfshirë Deripaska, një manjat me lidhje me presidentin Vladimir Putin.

McGonigal, 54 vjeç, akuzohet se mori 225,000 dollarë, pagesa sekrete në para, nga një person që dekada më parë kishte shërbyer në inteligjencën shqiptare. McGonigal akuzohet se shifrën e konsiderueshme e ka marrë në dorë në këmbim të promovimit të interesave të biznesit të ish-agjentit shqiptar, i cili ka marrë shtetësinë amerikane dhe jeton në Nju Xhersi.

Aktakuza thekson gjithashtu se zyra e FBI-së në Nju Jork, me kërkesë të McGonigal, hapi një hetim penal për lobim të huaj, në të cilin ish-punonjësi i inteligjencës shqiptare, i cili nuk përmendet në aktakuzë, dha informacion si një informator konfidencial./ New York Times

/rtsh.al/