Të papranueshëm e ka konsideruar Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis arrestimin e kandidiatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri.
Teksa ka deklaruar se nuk do të tolerojë një sjellje të tillë në kurriz të pakicës, Kryeministri grek ka theksuar për mediat greke se arrestimi do të ketë pasoja në marrëdhënien Greqi-Shqipëri duke shkuar deri edhe në rrugëtimin e vendit tonë drejt BE.
“Nuk do të tolerojmë një sjellje të tillë në kurriz të pakicës, do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet dypalëshe dhe për Rrugën e Shqipërisë drejt Europës”.
Kryeministri grek bëri të ditur se Greqia do të mbetet gjithmonë mbështetëse e pakicës kombëtare greke.
Prokuroria e Vlorës lëshoi me 12 maj urdhër arresti për Fredi Belerin me akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, ku sipas tyre “Beleri u kap në flagrancë në Himarë më datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës”.
/rtsh.al/