RTSH 24 Live

Aktualitet

Apeli i GJKKO-së rrëzon Arben Ahmetaj, mbetet sekuestro e vilave të ish-gruas e bashkëjetueses së tij

26/04/2023

Apeli i GJKKO-së rrëzon Arben Ahmetaj, mbetet sekuestro e vilave të ish-gruas e bashkëjetueses së tij

Apeli i Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi pretendimet e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj lidhur me sekuestrimin e dy vilave në emër të ish-gruas dhe bashkëjetueses së tij. Vendimi u mor nga gjyqtari Dhimitër Lara, ndërsa Byroja Kombëtare e hetimit dhe SPAK dyshojnë se ato janë përfituar nga veprimet e ish numrit dy të qeverisë, i cili akuzohet për katër vepra penale.

Shkalla e dytë e Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi të mërkurën (26 prill) kërkesën e ish-zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj për heqjen e sekuestros ndaj dy vilave, të ish-gruas dhe bashkëjetueses së tij.

Vilat janë në Hamallaj dhe në Palasë dhe me vendimin e fundit të marrë nga gjyqtari, Dhimitër Lara do të vijojnë të mbeten të sekuestruara.

Pala akuese pretedoi se, në kontrollin dhe sekuestron e vilës në Hamallaj është shkelur ligji ndërkohë që vila në Palasë nuk ishte fare në pronësi të ish-gruas së Ahmetajt, Albina Mançka por të shoqes së saj.

Ankimimi në Apel erdhi, pasi u rrëzua fillimisht nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Ahmetaj e konsideron të paligjshëm kontrollin e banesave, pasi sipas tij duhej të merrnin leje për kontrollin në vilë, pasi aty jeton edhe ai dhe ka statusin e deputetit.

Ahmetaj është nën hetim nga SPAK për 4 akuza të rënda: shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash dhe përftimi të paligjshëm të interesave.

Gjatë kontrollit te vila në zonën e Hamallajt, u sekuestruan 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh.

Gazetare: Flutura Tota

/RTSH/