Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Fredi Belerit për t’u betuar si kryetar i Bashkisë së Himarës, para këshilltarëve. Beleri apeloi vendimin e shkallës së parë, që po ashtu rrëzoi kërkesën për betimin e tij, por Apeli la në fuqi po atë vendim.
Tre ditë më parë, më 29 janar, Apeli i GJKKO i rrëzoi Belerit edhe kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë, duke e lënë atë në burg.
Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin. Në seancat gjyqësore, Fredi Beleri ka pretenduar se ndaj tij po bëhet padrejtësi dhe gjykata po dëmton atë dhe familjen e tij.
Çështja e tij ka tensionuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.
/rtsh.al/