Altin Dumani është kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit. Ai është zgjedhur me 5 vota pro nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Dumani do të ketë një mandat 3-vjeçar në krye të SPAK pa të drejtë rizgjedhje. Dumani zëvendëson në këtë detyrë Arbën Krajën, të cilit i mbaroi mandati, ndërsa nis punën që më 19 dhjetor 2022.
Përballë Dumanit për kreun e SPAK ishin prokurorët Edvin Kondili, i cili mori 4 vota dhe Adnan Xholi mori vetëm 1 votë nga KLP.
Gjatë prezantimit të platformës para KLP, Dumani tha se detyrën e tij e sheh si mision dhe jo si vend pune. Ai theksoi se fokusi është forcimi i besimit të qytetarëve te drejtësia dhe se në hetimet e tij nuk do të fokusohet tek emrat, por te provat.
Dumani kërkoi që në SPAK të forcohet fryma e punës në grup dhe se prokurorët do të kenë të gjithmonë mbështetjen e tij.
Altin Dumani është prokurori i SPAK që udhëhoqi operacionin që çoi në pranga 13 persona mes të cilëve edhe gjyqtaren e Gjykatës së Krujës, Enkeleda Hoxha e dënuar se favorizonte të burgosur me dënime të rënda që të liroheshin. Dumani është një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task-Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e zyrtarëve. Ka një karrierë prej 20 vitesh si prokuror.
/rtsh.al/