RTSH 24 Live

Film

Aktori hollivudian, Daniel Olbrychski, në kastën e filmit të regjisorit Genc Përmeti

07/03/2023

Aktori hollivudian, Daniel Olbrychski, në kastën e filmit të regjisorit Genc Përmeti

Ylli hollivudian, me origjinë polake, Daniel Marcel Olbrychski, do të jetë pjesë e një filmi shqiptar, që mban firmën e regjisorit Genc Përmeti.

Olbrychski, është një aktor filmi dhe teatri që konsiderohet gjerësisht, si një ndër artistët më të mëdhenj polakë të brezit të tij. Madje, në një nga revistat prestigjioze polake, ai është renditur i 7-ti në listën e aktorëve më të mëdhenj polakë të shekullit të 20-të, me një portofol të pasur artistik, që numëron mbi 180 role në filma dhe prodhime televizive.

Ngjarjet në filmin që po xhirohet në Shqipëri, zhvendosen 60 vjet pasi ndodhi apokalipsi bërthamor, atëherë kur vetëm një grup i vogël njerëzish arritën të mbijetonin. Historia, e cila është një udhëtim midis makthit të ekzistencës post-apokaliptike dhe dilemës, mbi të cilat themelet do të ndërtohen marrëdhëniet e komuniteteve që kanë arritur mbijetojnë, është mirëpritur nga Olbrychski, i cili ndihet i privilegjuar që do të jetë pjesë e këtij filmi.

Unë nuk e njihja regjisorin Genc Përmeti më parë, as punën e tij, por skenari ishte i mrekullueshëm. Filmi tregon historinë e botës pas luftës nukleare, ku shumë njerëz humbën jetën e pak të tjerë mbijetuan dhe mënyrën sesi këta njerëz u përpoqën të jetonin. Kur lexova skenarin thashë që kjo është një mundësi që nuk duhet humbur”, tha Daniel Marcel Olbrychski.  

Në rolin që interpretojmë, ne kemi hyrë në një botë, në të cilën nuk ka mbetur asgjë, as miqësi, as dashuri. Të vetmet gjëra që gjen këtu është zemërimi dhe urrejtja midis burrave. Personazhi im jeton me urrejtjen dhe çfarë na shtyn neve është urrejtja, ndaj filmi bën një pyetje shumë të rëndësishme, e cila është “Bota dominohet nga urrejtja dhe zemërimi, apo guximi për të dashurinë dhe për të ecur përpara dhe për të ndaluar luftërat. Kjo është tema e filmit tonë. Shpresoj që ne aktorët që interpretojmë në film të përcjellim si duhet mesazhin. Regjisori Genc Përmeti ka krijuar diçka që besoj do të jetë e bukur si nga ana vizuale, po ashtu edhe nga aktrimi, gjithashtu e mirëkuptueshme për të gjithë botën”, Ksawery Szlenkier.

Kjo ishte vizita e parë që ai bënte në Shqipëri, por vendet që artisti kishte vizituar deri tanimë, teksa ishte me xhirime, e kishin impresionuar dhe disa pasazhe i kujtonin kohën në Francë.

Është hera e parë që vizitoj këtë vend të bukur. Kam qenë vërtet kurioz sesi mund të ishte Shqipëria. Është vërtetë një vend është shumë i bukur, duket si Parajsë. Fshatrat që ne vizituam teksa ishim me xhirime më bënë të mendoj sikur jam në Francë. Shumë rrugë përgjatë detit, hotelet, më dhanë ndjesinë, sikur jam në Kanë. Sigurisht që Kana është një vend i madh por ky vend i vogël është i qetë si Kana”, tha Daniel Marcel Olbrychski.

Gjatë gjithë karrierës së tij, ai është shfaqu në pesë filma të nominuar për çmimin Oscar, dy prej të cilëve e fituan këtë çmim, konkretisht filmat “The Tin Drum” dhe “Dangerous Moves”. Artisti na shpreh emocionet që ndjen një artist kur vlerësohet për punën e tij.

“Unë jam një sportist, dhe sportistët kur fitojnë janë padyshim më të mirët. Por në industrinë e filmit, vërtet është bukur kur dikush të thotë “Ti je më i miri, ky është filmi më i mirë” por ky është komplet një gjykim subjektiv. Një artist duhet thjesht të thotë “Faleminderit” dhe të ecë përpara për një tjetër projekt. Nuk e mohoj që është një nder dhe shumë bukur të jesh ndonjëherë në këto mbrëmje Gala, mes yjeve botërorë, por më shumë kënaqësi për mua është “Thjesht puna jonë”, tha aktori.

Ndër bashkëpunimet që ka patur me aktorë të mëdhenj në filmat që ka interpretuar, artisti na tregon pak mbi eksperiencën e të ndarit të njëjtën skenë, në filmin “Salt”, me yllin e Hollivudit Angelina Jolie.

Angjelina Jolie është një yll i madh, që do të thotë që ajo është shumë e bukur, shumë e talentuar, një bashkëpunuese e rrallë, shumë profesionale. Këtë e kam kuptuar kur na është dashur të punojmë në kushte shumë të vështira. Madje edhe kur gaboja ndonjëherë në tekstin që duhej të thosha dhe duhej të përsërisnim skenën ajo ishte shumë bashkëpunuese. Kur unë i thosha, më fal Anxhi që bëra një gabim një gabim në këtë skenë, ajo më përgjigjej, “Mos u mërzit, sapo më dhe një shans të interpretoj sërish”. Kjo të bën të jesh Yll në kuptimin e plotë të fjalës”, tha Daniel Marcel Olbrychski:

70 vitet e jetës që i ka kushtuar skenës, duke dhuruar të gjithë mundin dhe dashurinë në rolet që ai ka luajtur, i kanë dhënë këtë mësim për profesionin e aktrimit, këshillë që ai ia jep për çdo të riu që ka dëshirë të jetë Aktor.

Të jesh aktor është si të jesh sportist. Ti duhet të kesh gjithnjë parasysh 2 gjëra të rëndësishme: E para është besimi i madh që duhet të kesh tek vetja, që është ai duke e luajtur këtë rol dhe askush tjetër, dhe gjëja tjetër edhe pse mund të duket kontradiktore kur e dëgjon, është të jetë i përulur. Përballë regjisorëve dhe aktorëve të tjerë që ai ka përballë të jetë i përulur por megjithatë shumë i sigurt në vetvete”, tha aktori hollivudian.

/rtsh/