RTSH 24 Live

Sociale

Aksidentet rrugore në aksin Elbasan-Peqin - Banorët të shqetësuar, kërkojnë zgjidhje

3 orë para

Aksidentet rrugore në aksin Elbasan-Peqin - Banorët të shqetësuar, kërkojnë zgjidhje

Në fshatin Pajovë të Peqinit, banorët ende janë të tronditur nga aksidenti që ndodhi javën e kaluar, ku një parakalim i gabuar i mori jetën 10- vjeçarit i cili sapo kishte dalë nga shkolla.

Për banorët kjo tragjedi në këtë aks nacional është e përsëritur, teksa theksojnë mungesën e sinjalistikave rrugore dhe të prezencës së policisë. Banorët në fshatin Vidhas, Pajun, Bishqem thonë se hasin të njëjtën problematikë. Ata shprehen se fëmijët e tyre rrezikojnë çdo mëngjes jetën si dhe kërkojnë ndërhyrje nga shteti.

“Kjo është një qendër e banuar, ka shkolla, biznese ndaj duhet me patjetër të merren masa. Kanë ndodhur shumë aksidente”, shprehin shqetësimin banorët.

Specialisti dhe Inxhinieri Qani Xhafa shprehet se aksidentet në këtë aks vijnë për disa arsye, që nga drejtimi i automjetit në gjendje të dehur e deri tek problematikat me sinjalistikën rrugore.

“Është shkolla në Papër që është në anë rruge dhe nuk është marrë asnjë masë për mbikalime këmbësorësh. Edhe tabelat e sinjalistikës duhen parë”, shprehet ai.

Aksi nacional Elbasan-Peqin mbetet një ndër akset më problematike të vendit lidhur me numrin e lartë të aksidenteve.

/rtsh.al/