Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, pas përfundimit të mbledhjes ka bërë me dije se PD-ja do të kthehet në Kuvend për diskutimet për projektbuxhetin e 2025-ës.
Bardhi deklaroi se detyra e opozitës është që buxhetin e korrupsionit ta kthejë në buxhetin e qytetarëve.
Ai hodhi akuza se projektbuxheti i 2025-ës "është i pesë personave", duke përfshirë në pretendimin e tij zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe kryebashkiakun Erion Veliaj.
“Do jenë aty dhe do përballemi. Ne kemi për të diskutuar buxhetin, për tu përballur me fakte dhe për t’i sqaruar qytetarëve se ky nuk është buxheti i tyre por i Ballukut që për 3 rrugë dyfishon fondet që gjysmat ti fusë në xhep, i Veliajt që ti vjedhë me drejtorët e tij 5 D. Ky është buxheti i korrupsionit, detyra jonë është ta kthejmë në buxhetin e qytetarëve”, deklaroi Bardhi.
Politikani demokrat u shpreh se opozita nuk ka votat e mjaftueshme për të miratuar buxhetin që u duhet qytetarëve.
“A do mundemi? Këtë çështje do e shohim gjatë shqyrtimit të pr.buxhetit. Opozita nuk ka votat e mjaftueshme për të miratuar buxhetin që dëshironte, që rriste pensionet, pagën minimale, fondet për bujqësinë, rriste ndihmën ekonomike, lehtësonte barrën fiskale për bizneset.
Por është detyra jonë ta bëjmë këtë betejë dhe pse s’kemi votat e mjaftueshme në Kuvend”, u shpreh ai.
/rtsh.al/