RTSH 24 Live

Televizion

86 vite Radio Tirana, Xhahu: Mbizotëron mbi çdo radio tjetër

28/11/2024

86 vite Radio Tirana, Xhahu: Mbizotëron mbi çdo radio tjetër

Hapat e parë i ka hedhur pikërisht në Radio Tirana dhe sot është pjesë e një ekipi që ka shënuar historinë 86-vjeçare të saj.

Bëhet fjalë për gazetarin Andri Xhahu, i cili në kuadër të 86 vjetorit të Radio Tiranës, ka kujtuar në studion e RTSH 24, se si nisi karriera e tij, pikërisht në këtë radio, për të mos iu ndarë më prej tanimë 20 vitesh.

Xhahu deklaron se viti 2004 kur ai iu bashku ekipit të Radio Tiranës, ishte një moment tranzicioni nga metoda analoge në atë digjitale.

“Kur kujtoj që kanë kaluar 20 vite nga momenti i parë kur kam trokitur në dyert e Radio Tiranës, është segment i shkurtër para jetës së gjatë që ka Radio Tirana.

Në 2004 ishte moment tranzicioni, ku nga transmetim me bobina, shirita, magnetofon, po digjitalizohej pak nga pak.

Kishe përgjegjësi të madhe, teknikët që ishin në pultin e transmetimit ishin gjithë kohën alert që gjithçka të shkonte mirë.  Nëse me një këngë MP3 në kompjuter diçka nuk shkonte, e ke gati këngën tjetër. Por ndryshe ishte më parë. Kam punuar dhe me metodën analoge dhe me metodën digjitale”, deklaroi Xhahu.

Gazetari u shpreh gjithashtu se në 20 vite, Radio ka pësuar transformim. Ai theksoi se rreziku i të qenit i shpejtë në radio, rrezikon të qenit sipërfaqësor.

Më tej, ai nënvizoi se Radio Tirana vijon edhe sot të mbizotërojë krahasuar me radiot e tjera, pasi sikurse tha ai, ka brendinë përveç muzikës.

“Radio ka ndryshuar në këto 20 vite. Duhet ta japësh lajmin, informacionin, thelbin e intervistës jo më shumë se 8 minuta. Rreziku i të qenit i shpejtë në informacion s’duhet të jesh sipërfaqësor.

Radio Tirana mundet të jenë pranë gjithë dëgjuesve, gjithë grupmoshave. Radio vijon të dëgjohet shumë.

Radio Tirana vijon të mbizotërojë krahasuar me radiot e tjera sepse ka brendinë, përveç muzikës’, deklaroi gazetari.

Xhahu shtoi në përfundim të fjalës së tij se, të rinjtë sot nuk e duan Radion, sepse duan famën e shpejtë.

/rtsh.al/