RTSH 24 Live

Aktualitet

Ceremonia e flamurit në Vlorë, të pranishëm krerët e shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës

28/11/2024

Ceremonia e flamurit në Vlorë, të pranishëm krerët e shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës

Është mbajtur në Vlorë ceremonia e ngritjes së flamurit shqiptar në kuadër të 112-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.

Të pranishëm në ceremoninë e mbajtur në “Sheshin e Flamurit” ishin krerët e shtetit shqiptar, Presidenti Bajram Begaj, Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha, drejtuesi politik i qarkut Vlorë, Bledi Çuçi, Kryeministri Edi Rama, si dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri Rama vendosi një kurorë me lule dhe u përkul në shenjë respekti pranë vendprehjes monumentale të Ismail Qemalit.

Personalitetet më të larta politike të Shqipërisë dhe Kosovës ishin pjesë e festimeve që nisën në sheshin e Flamurit me Himnin Kombëtar dhe vijuan me homazhet e zhvilluara në nderim të përpjekjeve dhe sakrificave të patriotëve shqiptarë për pavarësi.

PD nderon flamurin në Vlorë, Noka: Kjo festë të na gjej më të bashkuar

Opozita ka kryer homazhet dhe nderimet në 112-vjetorin e Pavarësisë të ndarë nga qeveria. Me një ceremoni para monumentit të Ismail Qemalit, Partia Demokratike ka kryer homazhet në ndër të figurës së lartë të kombit që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe ngrit lart flamurin kuq e zi.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Naka tha se sot është një ditë e bekuar dhe se kjo festë duhet të sjellë një Shqipëri dhe popull më të bashkuar.

“Kjo është një ditë feste për shqiptarët, një ditë e shenjtë për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në të gjithë botën. Në emër të PD ju uroj gëzuar këtë ditë të bekuar. Kjo ditë nis më 28 nëntorin e 1443 kur Skënderbeu e vendosi këtë flamur në Kalanë e Krujës duke e çliruar nga turqit dhe 28 nëntori i dytë është viti 1912 kur plaku i Vlorës, Ismail Qemali e ngriti këtë flamur këtu në Vlorë për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë. 28 nëntori i tretë është i 1944 kur ku flamur u ringrit përsëri për të simbolizuar largimin e pushtuesve gjermanë. Kjo është një ditë e madhe dhe e shfrytëzojmë në emër të PD për të thënë gëzuar, të na gjej më të bashkuar, me një Shqipëri pa krim dhe korrupsion”, tha Noka

Sot Shqipëria dhe mbarë diaspora feston festën e 28 Nëntorit. Të shumta kanë qenë gjithashtu urimet nga politika shqiptare, ajo e Kosovës, Bashkimi Euroipian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo festë shenjon Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 dhe ngritjen e flamurit shqiptar në Vlorë nga Ismail Qemali. 28 Nëntori për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, njihet si Dita e Flamurit. 

/rtsh.al/