Radio Tirana mbush 86 vjeç - 86 vite të mbushura me histori, krenari dhe mijëra orë materiale që kanë shoqëruar breza të tërë. Nga korridoret e saj kanë kaluar dhe kontribuar individë që u kthyen në modele për shumëkënd që ndiqte rrugën e medias.
Radio Tirana nisi transmetimet e saj për herë të parë në 28 nëntor të vitit 1938.
“Në 86 vite, ajo jo vetëm ka qenë kronikë e përditshme e jetës së kombit, por ka krijuar një staf, një pjesë gazetarësh, moderatorësh. Madje shënon dhe historinë e muzikës, pasi këtu lindi festivali”, u shpreh Kryeredaktorja e Radio Tiranës, Ermenita Stafa.
Me sloganin është radioja juaj, në datën 2 dhjetor në ambientet e brendshme të Televizionit Shqiptar do të organizohet një ceremoni festive për të kujtuar historinë 86 vjeçare të Radios, veprimtarinë e shumëllojshme në dekada, por edhe për të gëzuar shumë vite të tjera me suksese që e presin Radion tonë, radion tuaj.
“Do të jetë një ceremoni që do ofrojë mikpritje, por duke vendosur në podin më të lartë audiencën e saj. Do jetë më 2 dhjetor në orën 17;’0 dhe le të shërbejë komunikimi ynë edhe si ftesë’, tha më tej znj. Stafa.
Në këtë ditëlindje të 86 Radio synon të sjellë edhe njëherë marrëveshjen me fakultetin e gazetarisë, ku studio e Radio Tirana 2 do të shërbejë si start jo vetëm për praktikën mësimore të studentëve , por gjithashtu do të ushqejë me elementët e rinj mikrofonin e Radios.
“Për ne do jetë hapi parë që duam të rihedhim në marrëveshjen me Fakultetin e Gazetarisë, në atelien e Radios. Sepse së shpejti Radio Tiranë 2 do ofrojë për ta mundësinë jo vetëm të një praktike mësimore, por mund të jenë hapi i parë për të prekur profesionin”, përfundoi ajo.
Ndërkohë për të gjithë të pranishmit në ceremoninë e datës 2 dhjetor po përgatitet edhe një reportazh I cili do të sjellë qasjen tek Radio jo vetëm të dëgjuesve, por edhe të njerëzve që bëjnë Radio.
/RTSH/