Në 74-vjetorin e vrasjes së 22 intelektualëve nga regjimi komunist, Departamenti i të Përndjekurve në Partinë Demokratike dhe Unioni i të Përndjekurve Politikë organizuan një homazh te ish-Ambasada Sovjetike. Gjatë ngjarjes, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka nderuar kujtimin e këtyre intelektualëve të shquar që u ekzekutuan pas një kurthi të organizuar nga policia sekrete shqiptare dhe KGB-ja, për një akt që nuk kishte asnjë lidhje me ta.
Berisha theksoi se ky ishte një krim i shëmtuar kundër njerëzimit dhe një vazhdimësi e krimeve të regjimit komunist që filluan me krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare.
“Sot ne nderojmë martirizimin e 22 intelektualëve, ndër të shquarit e kombit shqiptar, të cilët u ekzekutuan pas një kurthi të organizuar nga policia sekrete shqiptare dhe KGB-ja, hedhjen e një shashke apo një bombe asaj kohe ambasadës sovjetike, por që nuk kishte absolutisht asnjë lidhje me intelektualët kolosë që nuk mund të pajtoheshin kurrë me regjimin komunist. Ky ishte një krim i shëmtuar kundër njerëzimit që regjimi kreu në vazhdën e luftës civile, në vazhdën e krimeve të kryera që nga themelimi i partisë komuniste shqiptare si seksioni i partisë komuniste jugosllave, dhe gjer në fund të ekzistencës së saj”, tha Berisha.
Berisha kërkoi bashkimin e forcave për të çliruar Shqipërinë nga ajo që ai e quajti "diktaturë e dytë", duke akuzuar regjimin e Edi Ramës për përdorimin e metodave të ngjashme për të mbajtur pushtetin duke shkelur ligje dhe Kushtetutën.
“Nderimi më i madh që u bëjmë ne sot këtyre përfaqësuesve dinjitozë të elitës së kombit shqiptar është të bashkojmë, të angazhojmë të gjitha forcat për të çliruar Shqipërinë nga kjo diktaturë e dytë, e vendosur nga një bastard i atyre që ekzekutuan 22 intelektualët e pafajshëm vetëm e vetëm për mendimet e tyre kundër diktaturës totalitare. Edi Rama, sot përdor të njëjtat metoda, duke shkelur ligje dhe Kushtetutë, kundër kundërshtarëve politikë, për të mbajtur në këmbë regjimin e tij”, tha Berisha.
/rtsh.al/