Në përvjetorin e pestë të themelimit të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), kreu Altin Dumani theksoi se drejtësia nuk ka anë dhe struktura që ai drejton tregoi qartë se “drejtësia nuk është privilegj për disa dhe vuajtje për disa të tjerë”.
Dumani u ndal edhe te vështirësitë që ka kaluar SPAK dhe akuzat që i janë bërë këtij institucioni për të minuar punën e prokurorëve. Duke përmendur shpifjet, fyerjet dhe kërcënimet me të cilat është përballur, Dumani theksoi se institucioni ka mbetur i bashkuar dhe i vendosur në misionin e vet për të krijuar një shoqëri ku llogaridhënia dhe integriteti janë parimet kryesore.
Kujtojmë se arrestimi i kreut të PD-së, Sali Berisha dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, sollën akuza të shumta ndaj SPAK dhe vetë Altin Dumanit, duke e cilësuar si të korruptuar dhe të kapur nga qeveria.
“Drejtësia nuk njeh anë dhe kah dhe nuk ka të paprekshëm nëse ligjet shkelen. Jemi përpjekur që në këto 5 vite të tregojmë se korrupsioni sfidohet dhe krimi mund të vihet para drejtësisë se ligji funksionin dhe sot nuk ka zyrtarë të lartë të imunizuar nga drejtësia dhe të rinjtë të shpresojnë në një shtet të së drejtës. Kjo përpjekje nuk ka kaluara pa vështirësi. Korrupsioni e krimi nuk mund të zhduken brenda ditës. Jemi përpallur me përpjekje për të minuar punën tonë, me shpifje, fyerje e kërcënimin ndaj nesh dhe familjarëve tanë përballë tyre jemi mbledhur bashkë si trup e vetëm kolegësh dhe kemi kuptuar sa i vyer është integriteti i gjithsecilit prej nesh. Çdo ditë i kujtojmë vetës se misioni ynë nuk përfundon me dosjen e ardhës dhe SPAK është më i fortë se është i pavarur dhe aspirata jonë është që të kemi një drejtësi të fortë dhe nuk është privilegj për disa dhe vuajtje për disa të tjerë”, u shpreh Dumani.
Dumani vlerësoi arritjet e këtij institucioni në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke treguar se nuk ka të paprekshëm nëse shkelen ligjet. Ndonëse ka pasur hapësira për përmirësim, shtoi Dumani, SPAK do të vazhdojë të shërbejë për krijimin e një shteti të së drejtës, ku të rinjtë mund të kenë shpresë për një të ardhme më të drejtë.
“Drejtësia ka misionin e krijimit të ekuilibrit të gjithë funksionove të saj që të gjithë të jemi të barabartë para saj. 5 vite nga krijimi i SPAK jemi krenar për arritjet e deritanishme, jemi më të përgjegjshëm dhe të pjekur profesionalisht. Shumë gjëra mund t’i kishim bërë më mirë, por mësimet e nxjerra i vëmë në shërbim të rrugës së vënë përpara. Përpjekjet tona të sotme të shërbejmë për krijimin e një shoqërie ku llogaridhënia dhe integriteti janë në themel të institucioneve shqiptare. I uroj SPAK suksese të mëtejshme, misioni ynë vazhdon”, tha ai.
Gjatë ceremonisë, zëvendësndihmëssekretari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, vlerësoi punën e SPAK duke e konsideruar si një “çmim që shqiptarët e meritojnë për një drejtësi të barabartë”.
“Pavarësia e SPAK mbetet vendimtare. Partnerët e huaj kërkojnë ekspertizën e SPAK. Ky çmim është për SPAK dhe gjithë qytetarët shqiptarë. Vlerësojmë punën e SPAK për luftën e krimit dhe korrupsionit”, u shpreh ai.
Kasanof bëri thirrje që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë të aplikojnë për mandat të ri pas përfundimit të atij aktual, duke theksuar se kjo është e rëndësishme për të ruajtur profesionalizmin dhe njohuritë e nevojshme për të realizuar misionin e SPAK-ut. Sipas ligjit prokurorët e SPAK kanë një mandat 9-vjeçar pa të drejtë rizgjedhje.
“Për të siguruar që SPAK të vijojë në të ardhmen luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit besojmë se prokurorët e SPAK duhet të lejojnë të aplikojnë sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual. Dështimi për të realizuar këtë, rrezikon të ndërpresë përpjekjen më të suksesshme kundër krimit të organizuar e korrupsionit në historinë shqiptare. Rrezikon humbjen e profesionistëve tuaj më me përvojë dhe njohurive të tyre institucionale"
Edhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato, tha se falë reformës në drejtësi u bë e mundur nisja e negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Reforma në drejtësi bëri të mundur nisjen e negociatave të anëtarësimit. Një institucion i pavarur për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta është element kyç në reformën e drejtësisë së Shqipërisë”, tha Gonzato.
SPAK u ngrit në vitin 2019 si pjesë e reformës në drejtësi dhe institucioni kryesor në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në nivele të larta. Gjatë 5 viteve pune, SPAK vuri para drejtësisë emra të lartë të zyrtarëve shqiptarë, për të cilët ishte krijuar ideja se qenë “të paprekshëm”.
/rtsh.al/