Dy grupe kriminale janë goditur gjatë 24 orëve të fundit. Blutë e kryeqytetit kanë bërë me dije se dy grupet kriminale trafikonin lëndë narkotike kanabis nga SHBA dhe Tajlanda në Shqipëri përmes shërbimit postar.
Policia ka arrestuar 3 persona dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë, anëtarë të dy grupeve kriminale.
Sakaq, 4 kilogram kanabis me përqindje të lartë TCH, që dyshohet se do të shiteshin në Tiranë dhe në Elbasan është sekuestruar nga Policia, sikurse edhe një sasi kokaine të gjetur në banesën e një prej të arrestuarve.
Kjo sasi lënde narkotike, nëse do të hidhej në treg kapte vlerën e 68 mijë eurove.
“Si rezultat i operacionit të koduar “Destinacioni 1” u godit një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike cannabis sativa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar. Për këtë veprimtari kriminale, u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 34 vjeç, banues në Elbasan, dhe u shpall në kërkim shtetasi E. D., 24 vjeç.
-Si rezultat i operacionit të koduar “Destinacioni 2” u godit një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike cannabis sativa nga Tajlanda në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar. Për këtë veprimtari kriminale u arrestuan në flagrancë shtetasit: B. L., 19 vjeç dhe një shtetas 17 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit B. L., 18 vjeç dhe E. L., 18 vjeç.”, thuhet në njoftim.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtyre 2 rasteve dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.
/rtsh.al/