Apeli i Gjykatës së Posaçme për Krimet e Rënda ka prishur vendimin e mëparshëm të dhënë nga trupi gjykues i GJKKO lidhur me inceneratorin e Fierit dhe ka kthyer dosjen për rigjykim me një trup tjetër gjykuese.
Për inceneratorin e Fierit, GJKKO vendosi në shator 2023 dënimin me 6 vjet e 8 muaj burgim për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për akuzat "Shpërdorimi i detyrës", "Korrupsioni" dhe "Pastrimi i parave”. Gjithashtu me 2 vite e 8 muaj burg u dënua ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, i akuzuar për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Korrupsion”.
Nga hetimet e SPAK rezultoi se janë shkelur ligjet për koncesionet dhe prokurimet publike lidhur me procedurën e dhënies së koncesionit për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier. Gjithashtu sipas SPAK rezulton e janë paguar fatura fiktive për punë që nuk janë kryer kurrë në këtë incenerator.
/rtsh.al/