RTSH 24 Live

Rajon

25 vite nga bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë

24/03/2024

25 vite nga bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë

Sot shënohet 25-vjetori i fillimit të sulmeve të NATO-s ndaj forcave të milicisë serbe. NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin që po kryhej kundër popullit të Kosovës.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Në ditën kur fushata e famshme e bombardimeve të NATO-s nisi ndaj forcave serbe, presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton tha se Serbia ishte mospërfillëse edhe kur liderët kosovarë ishin pajtuar për paqe.

“Sot forcat tona iu bashkuan NATO-s kundër forcave serbe që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Po veprojmë për t’i mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga ofensiva ushtarake, po veprojmë për ta parandaluar një luftë më të gjerë. Për vite me radhë kosovarët ishin munduar paqësisht që të rifitonin të drejtat e tyre, kur Millosheviqi i dërgoi trupat e tij që t’i shtypte, kjo përpjekje u bë e dhunshme. Ne propozuam një marrëveshje të paqes që liderët kosovarë e nënshkruan, megjithëse nuk i dha gjithçka që donin ndërsa serbët refuzuan edhe të diskutojnë. Kjo nuk ishte luftë në kuptimin tradicional, ishte sulm me tanke e artileri ndaj njerëzve që në masë të madhe ishin pa mbrojtje, liderët e të cilëve u pajtuan për paqe”, tha Clinton.

Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s. Sot, 25 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it janë në numër më të vogël. Ata janë të vendosur në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës.

/rtsh.al/