Rektori i Universitetit Bujqësor Fatbardh Sallaku ka deklaruar para grupit parlamentar socialist se nuk mbron asnjë person që abuzon me detyrën, duke iu referuar 24 masave të sigurisë për stafin dhe pedagogët e universitetit.
Sallaku theksoi se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se beson te një proces i drejtë dhe i ndershëm. Në dëgjesën para grupit socialist, Sallaku bëri me dije se që prej ditës së djeshme, kur u dhanë masat e GJKKO-së, stafi akademik dhe pedagogët kanë nisur betejën për pastrimin e imazhit të tyre dhe vërtetësisë me fakte të pafajësisë.
“Ju bëj me dije që dje, edhe unë e mora vesh nga media, mblodha asamblenë akademike të UBT ku sqaruam situatën dhe që në krye të radhës konfirmoj faktin që ne nuk komentojmë asnjë vendim të drejtësisë, ne besojmë që do ketë një proces të ndershëm dhe besoj se shumica e pedagogëve të mi u përkasin njerëzve të ndershëm. Asnjë proces nuk e zhbën realitetin që besoj unë.
Çdo koleg që është pjesë e masave të ndryshme të marra dje, nga dje ka filluar betejën për të pastruar veten. Shpresoj që çdonjëri të faktoj me fakte që kanë vepruar me ndershmëri dhe duke zbatuar ligjin.
Ajo që dua të theksoj, është fakti që jam i gatshëm të shkoj në çdo grupim të sqaroj këto gjera.
Unë absolutisht nuk mbroj asnjë person i cili mund të ketë abuzuar dhe ja lëmë drejtësisë të operojë, veprojë. Shpresoj të jetë proces sa më i ndershëm”, deklaroi rektori i UBT.
Gjykata e Posaçme firmosi dje (25 shkurt) masat e sigurisë për 24 punonjës të Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku 5 masa arrest me burg, 10 arrest shtëpie dhe 9 të tjera detyrim paraqitjeje.
Operacioni u realizua për abuzim me tendera ndërsa ndaj tyre rëndojnë akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit”.
/rtsh.al/