RTSH 24 Live

Politikë

14 maji/ KQZ gati të regjistrojë PD e Bashës: 48 orë kohë për plotësimin dokumentave

09/03/2023

14 maji/ KQZ gati të regjistrojë PD e Bashës: 48 orë kohë për plotësimin dokumentave

Logon dhe vulën e PD e mban Lulzim Basha në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, ndërsa rrëzohet kërkesa e Sali Berishës për regjistrimin e PD me emrin e tij si kryetar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njohur dhe do të regjistrojë zyrtarisht Partinë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën, pasi sipas ligjit ai figuron ende si kryetar i partisë.  

Komisioneri Ilirjan Celibashi, pasi dëgjoi përfaqësuesit e të dyja palëve dhe shqyrtoi dokumentacionin, tha se KQZ vendos vetëm në bazë të vendimeve të gjykatës dhe ligjit dhe jo në bazë të perceptimeve personale apo mendimit të anëtarësisë.

“Për KQZ mjafton që të jetë e provuar se kush e ka këtë legjitimit, kush është personi që përfaqëson PD me të tretë dhe kush është organi drejtues i kësaj partie. Pyetja është se kush vendos për këtë gjë, a vendos KQZ se kush është drejtuesi i një partie?  Jo nuk është KQZ, por ne na paraqitet dokumentacioni që tregon se kush është përfaqësuesi apo drejtuesi i një partie politike.

Për aq kohë sa KQZ nuk vendos KQZ duhet ta marrë nga një palë e tretë këtë informacion. Ligji për partitë politike e ka përcaktuar shumë mirë dhe qartë dhe është një dokument që vjen nga gjykata që vendos kush është drejtuesi i një paritë. Diskutimet rreth kësaj pastaj janë të kota se e përcakton ligji ku dokumentet disponohen nga gjykata e shkallës së parë, ku përcaktohem emri i partisë dhe drejtuesi i saj.

Anëtarësia e partisë politike mund të njohin për drejtues të një partie këdo që ata çmojnë, por për ligjin dhe për institucionet si KQZ ajo që merret në referencë është dokumenti zyrtar. Do të ishte e dëmshme nëse KQZ do merrte këtë vendim bazuar mbi perceptime apo fakte publike për sa kohë ekziston një dokument zyrtar dhe vërteton një fakt të caktuar.

Unë mund ta pranoj që në perceptimin tim Sali Berisha është kryetar i PD, por kjo nuk ndryshon ligjin që tregon një fakt të ndryshëm nga ajo që unë apo çdokush tjetër percepton. Për zgjedhjet e 14 majit bazuar në dokumentet zyrtare që janë vënë në dispozicion të KQZ e ka Lulzim Basha , ai figuron kryetar i PD në pikëpamje të ligjit”, tha Celibashi.

Gjithashtu Celibashi i ka dhënë kohë 48 orë PD dhe përfaqësuesit të saj ligjor Indir Sefa që të plotësoj mungesat në dokumentacion, që lidhen me autorizimin nga Lulzim Basha për delegimin e kompetencave për regjistrimin e partisë në zgjedhjet vendore. Celibashi tha se ka mungesë qartësie në dokumentin e delegimit të kompetencave dhe kërkoi që të qartësohen detyrat që do të ketë i autorizuari.

Sipas dokumentit të firmosur nga Basha i deleguari mund të jetë ose nënkryetari Enkelejd Alibeaj, ose sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi ose përfaqësuesi ligjor Indit Sefa, por për Celibashin "kodi e thotë qartë se deklarata e kryetarit të partisë nuk është kompetencë por përgjegjësi, dhe si përgjegjësi ajo nuk mund të delegohet”. Pra dokumentet plotësuese duhet të firmosen nga kryetari i partisë dhe jo të deleguarit prej tij.

Vlerësimi i delegimit të kompetencave ndaj një personit të tretë dhe në vlerësim të gjithë dokumentacionit ky nuk është i plotë dhe në përputhje me kodin zgjedhor. Sipas vlerësimit tim në përputhje me këtë ligji, akti autorizues duhet të jetë i qartë, që do të thotë se kush e lëshon autorizimin, kush është i autorizuari dhe kush janë kompetencat e të autorizuarit.

Kush e autorizon është e qartë dhe se kush është i autorizuari po dihet, por duhet të përcaktohet dhe plotësohet qartësisht se cilat do të jenë kompetencat e të autorizuarit. Që të jetë e plotë do të thotë që nuk ka vend për një kuptim të dytë të atij veprimi. Keni 48 orë kohë që të bëni plotësimet e kërkuar për deklaratë e kryetarit të Partisë Demokratike”, tha Cellibashi.

Ora 10:20/ Debat për PD në KQZ, Rithemelimi: Vendimi i Apelit jo i formës së prerë! Përfaqësuesi i Bashës: Gjykata ka folur

Para se KQZ të merrte një vendim, u zhvillua një debat për regjistrimin e PD, ku e drejta kërkohet nga dy palë. Njëra palë kërkon që PD të regjistrohet me kryetar Sali Berisha dhe tjera kërkon regjistrimin e PD-së me kryetar Lulzim Basha.

Gjatë fjalës së tij, përfaqësuesi ligjor i Rithemelimit, Ledio Nura kërkoi që KQZ të njohë vendimin e shkallës së parë dhe jo atë të Apelit që nuk është i formës së prerë, pasi Rithemelimi do të bëj rekurs për të. Madje ai kërkoi nga komisioneri Ilirjan Celibashi që “ të mos vendos në bazë të një germe të ligjit, por mbi të drejtën se kush e ka”.

“Kemi paraqitur kërkesën më 5 mars për të regjistruar partinë e PD me vendim të Sali Berishës si kryetar i saj. Kemi depozitar kërkesën për regjistrim si subjekt zgjedhor për 14 majin ku kemi depozituar edhe dokumentacionin e kërkuar sipas kodit zgjedhor dhe ndër të tjera doja të citoja se regjistrimet e fundit të PD datojnë ato të kuvendit të 22 prillit 2018.

Këto janë regjistrimet e fundit të PD. Kemi edhe vendimet e kuvendit të PS 17 korrik 2021 dhe organet drejtuese të dala nga ky Kuvend me përjashtim të kryetarit të PD që është ankimuar në gjykatën e shkallës së parë tiranë dhe çështja e kryetari ka mbetur e paregjistruar.

Gjykata e Apelit më 3 mars është jo përfundimtar dhen jo i formës së prerë pasi ai vendim do të rekursohet nga PD brenda afatit ligjit përcaktuar në këtë vendim sapo të dal vendimi i arsyetuar i Apelit.

Kemi vendim  të ndërmjetëm të Apelit dhe kjo ët formës së prerë. Vendimi i shkallës së parë që ne disponojmë deri më tani dhe është e plotësuar është në fuqi dhe mund të merret parasysh nga KQZ për regjistrimin e PD.

Në këndvështrimin ligjor kërkojmë të regjistrohemi si subjekt politik në zgjedhjet e 14 majit dhe të mos rrezikojmë procuderialisht për herë të parë që nga 1990 të mos ngelet e paregjistruar partia më e madhe opozitare në vend duke goditur kështu pluralizmin në vend. Kërkojmë që KQZ të mos vendos në bazë të një germe të ligjit, por mbi të drejtën se kush e ka”, tha Nuraj.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i PD së Lulzim Bashëës, Indrit Sefa tha se legjitimitetin e bëjnë gjykatat dhe se ato janë shprehur.

“Dokumentacioni që kemi sjellë është i rregullt i qartë. Kemi konkluzionet e paraqitur në Apel prej 45 faqesh. Duke qenë në këtë debat kërkoj një kopje të praktikës së paraqitur nga Zoti Berisha se dua të njihem. Pash dokumentacionin dhe mund të them se këto vendime jo vetëm nuk janë të ekzekutueshme, jo vetëm që nuk noterizohen që për fat të keq janë noterizuar.

Nuk mund të sjellin asnjë efekt.  Në asnjë rresht të këtij vendimi nuk shkruhet Sali Berisha kryetar i Partisë Demokratike, shkruhet Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të cili i ka mbaruar mandati në prill të viti 2022. Ligji kërkon vërtetim të regjistrimit të partisë në gjykatë, kryetarin dhe të dhëna të tjera. Legjitimin këtu e përcaktojnë gjykatat që janë shprehur”, tha Sefa.

Gjatë seancës së sotme, KQZ regjistroi Partinë Socialiste dhe Partinë e Lirisë si subjekte zgjedhore për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Një ditë më parë, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve caktoi numrin e kandidatëve  për anëtarë të këshillave bashkiakë për çdo bashki që duhet të paraqesin subjektet zgjedhore për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet e datës 14 maj 2023.

Numrin më të madh të anëtarëve të këshillave bashkiakë e ka Bashkia e Tiranës, 62 kandidatë. Ndërsa numrin më të ulët 16, e kanë disa bashki të vogla. 

/I.K./rtsh.al/