RTSH 24 Live

Kulturë

100-vjetori i lindjes së Kadri Roshit, i biri rrëfen të pathënat e aktorit të madh

10/01/2024

100-vjetori i lindjes së Kadri Roshit, i biri rrëfen të pathënat e aktorit të madh

Kliti Roshi, i biri i kolosit të artit shqiptar, Kadri Roshi, i ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH foli për jetën dhe punën e aktorit të madh dhe kontributin mbresëlënës që ai la pas.

Të gjithë artistët e brezit dhe plejadës së Kadri Roshit kanë qenë, janë dhe do të mbeten gjithmonë të gjallë. Ata nuk kanë datë tjetër veçse atë të lindjes. Ky është fati i artistëve të vërtetë," tha z. Roshi.

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes, Kliti Roshi do të organizojë një aktivitet në nder të artistit të madh.

Është një aktivitet i cili ka tre vjet që më ka lindur në mendje dhe mund të them me gojën plot që është bërë me iniciativën e familjes. Ka pasur ndihma nga kompani të ndryshme private dhe shtetërore. Po plotësoj një boshllëk timin që e ndieja vërtet si një borxh ndaj tij, prandaj mendova që për 100-vjetorin të organizoja diçka të bukur, ku vlera e së tërës është të kujtohen dhe të mos zhduken, se 'nuk është vdekje kur mbulohesh me dhe. Vdekja e vërtet është harresa',” tha z. Roshi.

Ai theksoi gjithashtu se në eventin e organizuar tek ArTurbina për 100-vjetorin e Kadri Roshit do të promovohet edhe libri mbi jetën e aktorit.

Libri mban emrin tim aty lart, por është shkruar nga 90 persona publikë. Ata kanë shprehur mendimet, emocionet, kanë rikujtuar takimet me babain. Jeta e gjallë e Kadriut është sjellë nga shkrimi i 90 personazheve,” tha Kliti Roshi.  

Një ndër gjërat më pikante që i biri tregoi për “Nderin e Kombit” Kadri Roshi ishte dhe e folura belbër, të cilën ai e fitoi duke imituar dhe që nuk ishte e lindur.

Nëse Kadri Roshi u bë ai që u bë, mund të them më shumë në saje të punës. Duhet të dini që Kadri Roshi ka luajtur gjithë jetën si rezultat i një gabimi që bëri. Ka luajtur kur ka qenë gagaç, i merrej goja, sepse kur ishte i vogël atje në Ballsh ishte një familje me 11 vet dhe ky e imitonte në mënyrën më të përsosur, por iu ngjit. Nuk ishte e lindur. U bë! Në skenë nuk ka ditur kurrë t'i merrej goja me përjashtim kur ka luajtur Mit’hat Frashërin, që ka qenë gagaç në jetë tek “Karavidhet”.

Nuk mund të behësh aktor pa kulturë. Kadri Roshi kur ka bërë 'Arturo Uin' në vitin 1971 e ka interpretuar për herë të parë dhe në 6 muaj prova ai ishte më i saktë sesa historiani më i madh gjerman,” tha i biri i aktorit të madh.

/rtsh.al/