Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se Qeveria ka vendosur t’u ndajë nga 100 euro shtesë për fundvit të gjithë pensionistëve dhe fëmijëve deri në 16 vjeç. “Të gjithë ju që jeni të moshës nga 0 deri në 16 vjeç, dhe që jeni pranues të shtesave mujore për fëmijë, do t’i përfitoni edhe sivjet nga 100 euro secili”, tha Kurti në një konferencë të përbashkët me ministrin e tij të Financave, Hekuran Murati.
Murati nuk tregoi se kur do të mund ta marrin saktësisht këtë pagesë pensionistët dhe fëmijët, por tha se gjatë javës së ardhmes do të punohet për këtë. Ai shtoi se pensionistët dhe fëmijët nuk kanë nevojë të aplikojnë për shtesën për fundvit, pasi ata janë tashmë të regjistruar në sistem.
Qeveria e Kosovës nxori një skemë në vitin 2021 për t’i paguar fëmijët nën moshën 16-vjeçare në baza mujore fillimisht me nga 10 euro dhe 20 euro në muaj për fëmijë. Kurti e paraqiti një skemë të re për pagesat për fëmijë në gusht të këtij viti me një rritje të vogël. Sipas skemës së re, fëmija i parë dhe i dytë në familje paguhet nga 20€ në muaj secili, ndërsa për nënat që kanë tre fëmijë e më shumë, secili prej tre fëmijëve paguhet nga 30 euro. Sipas qeverisë nga skema e shtesave për fëmijë, përfitojnë mbi 400.000 fëmijë, dhe kostoja vjetore e skemës së re parashihet të jetë 120 milionë euro.
/RTSH/