Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se është i gatshëm të dorëzojë dy ushtarët e kapur të Koresë së Veriut në këmbim të të burgosurve ukrainas që mbahen në Rusi.
“Për ata ushtarë të Koresë së Veriut që nuk dëshirojnë të kthehen, mund të ketë opsione të tjera në dispozicion” tha Zelensky në mediat sociale, duke shtuar se “ata që shprehin dëshirën për të sjellë paqen më afër duke përhapur të vërtetën për këtë luftë”
Ukraina tha të shtunën se 2 ushtarët u kapën më 9 janar. Kur u pyet vitin e kaluar, Presidenti Vladimir Putin nuk e mohoi se Rusia po përdorte trupat e Koresë së Veriut në luftën e saj kundër Ukrainës, duke thënë se ishte "vendim sovran i Rusisë".
Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) tha se dy burrat janë në Kiev dhe po marrin kujdes mjekësor. Ata flasin vetëm koreanisht dhe po merren në pyetje me ndihmën e NIS të Koresë së Jugut (Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës). Zelensky postoi foto në rrjetet sociale të shtunën, ku shfaqeshin burrat, të cilët janë plagosur.
Ai ndau gjithashtu një foto të një kartele të kuqe ushtarake ruse që tregon vendin e lindjes si Turan, në Republikën Tuva, e cila është afër Mongolisë.
Shërbimi inteligjent tha se kur të burgosurit u kapën, njëri prej ushtarëve kishte një kartë identiteti ushtarake ruse të lëshuar në emër të një personi tjetër me regjistrim në Republikën Tuva. Tjetri nuk kishte dokumente.
Shërbimi i inteligjencës shpjegoi se gjatë marrjes në pyetje, një nga ushtarët i tha personelit të sigurisë se atij i ishte lëshuar dokumenti në Rusi gjatë vjeshtës së vitit 2024. Ai dyshohet të ketë deklaruar se në atë kohë, disa nga njësitë luftarake të Koresë së Veriut kishin trajnim njëjavor të ndërveprimit.
“Vlen të përmendet se i burgosuri... thekson se ai gjoja po shkonte për stërvitje, jo për të luftuar kundër Ukrainës” thuhet në deklaratën e SBU.
Zyra e Zelensky tha në një deklaratë të shtunën se rusët "po përpiqen të fshehin faktin se këta janë ushtarë nga Koreja e Veriut duke u dhënë atyre dokumente që pretendojnë se janë nga Tuva ose territore të tjera nën kontrollin e Moskës".
/rtsh.al/