Kryeministri suedez dhe ministri i drejtësisë gjatë një konference për shtyp deklaruan se ngjarja në Suedi me 10 viktima, është më tragjikja “në historinë e Suedisë".
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, u kërkon njerëzve që t'i japin policisë hapësirë për të kryer punën e tyre, mes njoftimeve se ata po kryejnë kontrolle në disa zona. Kristersson deklaroi se prindërit mund të ndihen të sigurt që nesër për t’i dërguar fëmijët e tyre nëpër shkollat në Suedi.
"Ne nuk duhet të përhapim frikë të mëtejshme sepse shumica dërrmuese e shkollave janë vende shumë të sigurta," tha ai.
"Unë besoj dhe shpresoj që edhe të tjerët ta besojnë këtë".
Kryeministri tha se prindërit kanë një detyrë të rëndësishme përpara, për të folur me fëmijët e tyre.
Gunnar Strommer, ministri i drejtësisë, tha se është e vështirë të merret në konsideratë përmasat e asaj që ka ndodhur sot.
“Ne e dimë se rreth dhjetë persona janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur”, tha ai.
“Policia dhe punonjësit tanë të kujdesit shëndetësor po kujdesen për këta njerëz. I dyshuari kryesor, deri tani, konsiderohet të jetë njëri nga personat që ka vdekur. Ai ishte një person i panjohur më parë për policinë. Ne ende nuk e dimë pse ndodhi kjo ose cilat mund të kenë qenë motivet. Shpresojmë të kemi një përgjigje.", tha ai.
Mbreti suedez: Mizori e tmerrshme
Mbretit suedez Carl XVI Gustaf, i ka përshkruar të shtënat e sotme si një "mizori të tmerrshme".
“Me trishtim dhe shqetësim, familja ime dhe unë morëm informacionin për mizorinë e tmerrshme në Orebro”, tha ai.
“Sonte i dërgojmë ngushëllimet tona familjarëve dhe miqve të të ndjerve. Mendimet tona në këtë moment shkojnë edhe për të lënduarit dhe të afërmit e tyre, si dhe për të tjerët të prekur. Unë dhe familja ime dëshirojmë të shprehim vlerësimin tonë të madh për policinë, personelin e shpëtimit dhe mjekësor që punoi intensivisht për të shpëtuar dhe mbrojtur jetë njerëzish në këtë ditë të errët.”, thuhet në njoftimin për shtyp.
/rtsh.al/