RTSH 24 Live

Aktualitet

“Rrjeti”/Në pranga 2 persona të shpallur në kërkim, shkon në 54 numri i të arrestuarve

16/07/2023

“Rrjeti”/Në pranga 2 persona të shpallur në kërkim, shkon në 54 numri i të arrestuarve

Policia e Elbasanit ka vënë në pranga dy persona të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Rrjeti”.

Sipas njoftimit të policisë, të dy këta persona akuzohen se janë pjesëtarë të një rrjeti kriminal për prodhimin, shitjen dhe trafikimin e llojeve të ndryshme të drogave, veprimtari kriminale e cila u godit nga Policia e Elbasanit, më datë 29 qershor 2023.

Në pranga ranë shtetasit M. B., 35 vjeç dhe M. K., 34 vjeç, të dy banues në Elbasan.

Për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Për këtë megaoperacion janë vënë në pranga 54 shtetas në total, si dhe janë sekuestruar sasi dhe doza të drogave të ndryshme, armë zjarri, municion luftarak, armë të ftohta dhe shuma të mëdhaja parash në valuta të ndryshme.

Ndërkohë vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Operacioni policor i koduar “Rrjeti”, u finalizua në fund të muajit qershor, u shtri në Elbasan, Cërrrik, Peqin, Belsh, Librazhd, Përrenjas dhe Pogradec.

Gjatë këtij operacioni u angazhuan 490 punonjës policie dhe 5 dronë, si dhe u kontrolluan 52 banesa dhe 18 lokale.

Gjatë kontrolleve, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 1 kilogram e 311 gramë kokainë, 860 gramë heroinë, 1 kilogram e 317 gramë kanabis, mijëra doza kokaine, heroine, kanabisi dhe metadoni, fara kanabisi, një armë zjarri model 56, sasi municoni luftarak, pjesë të armëve të zjarrit, silenciatorë, armë të ftohta, një shumë të madhe parash prej 51 milionë lekësh, 15 mijë euro, si dhe një shumë frangash zviceriane.

/rtsh.al/