Deputetja e Partisë Socialiste Etilda Gjonaj në aktivitetin e zhvilluar mbi forcimin e rolit të Parlamentit në vendimmarrjen e bazuar në të dhëna, vuri theksin te gjithpërfshirja, angazhimi, kritikat dhe sugjerimet për të mundësuar rritjen e transparencës dhe mirëqeverisjes edhe të Kuvendit.
“Kuvendi është një institucion që ka tentuar të rrisë transparencën e tij dhe besoj këtu ka qenë kontributi I të gjithëve
Gjithpërfshirja, angazhimi kritika dhe sugjerimet do bëjnë të mundur rritjen e transparencës dhe mirëqeverisjes edhe të Kuvendit”, deklaroi Gjonaj.
Kjo e fundit sugjeroi forcimin e lidhjeve mes akademisë kërkuesve, ligjbërësve dhe ekspertëve për ti dhënë më shumë peshë procesit vendimmarrës të bazuar në kërkime dhe fakte empirike
“Kërkimi parlamentar merr rol të pazëvendësueshëm. Sot jemi këtu për të nxitur një frymë të re bashkëpunimi. Duhet të forcojmë lidhjen mes akademisë, kërkuesve, ligjbërësve dhe ekspertëve për ti dhënë më shumë peshë procesit vendimmarrës të bazuar në kërkime dhe fakte empirike.
Instituti parlamentar dhe shërbimi I kërkimit dhe analizës si boshti qendror I tij janë bërë pikë referimi për ofrimin e ekspertizës teknike në mbështetje të forcave politike, duke ofruar analiza cilësore. Gjatë 2 viteve të fundit janë realizuar 180 praktika kërkimore me një rritje të ndjeshme të kërkesave të deputetëve dhe cilësisë së analizave të kërkuara. Suksesi i Institutit të kërkimit parlamentar qëndron në angazhimin tonë duke kontribuar në forcimin e stabilitetit demokratik e parlamentar”, tha ajo.
Edhe ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber, theksoi rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies si elemente kyçe të procesit parlamentar dhe demokracisë. Ajo theksoi se në një botë që ndryshon me shpejtësi, këto parime duhet të përqafohen, duke përfshirë teknologjinë moderne, si inteligjenca artificiale në proceset ligjvënëse.
“Transparenca dhe llogaridhënia nuk janë vetëm gur kyç të procesit parlamentar po i krejt demokracinë, në këtë botë që ndryshon rrëmbimthi këto duhen përqasur kur jepen në mundësi të tilla si inteligjenca artificiale në proceset ligjvënëse. Kjo i jep fuqi ligjvënësit për të hartuar politika të shëndosha dhe monitoruar zbatimin e tyre në mënyrë të efektshme.
Puna kërkimore në rritjen e transparencës dhe monitorimin e reformave është edhe fokusi i kësaj konference. Inteligjenca artificiale ka potenciale për të optimizuar punën parlamente deri tek rritja e pjesëmarrjes publike, por kjo ka dhe rrisqet e veta. Duhet të garantojmë që kjo inteligjencë që të na shërbej si mjet për të forcuar demokracinë. Zvicra mbetet e palëkundur për të mbështetur zhvillimet parlamente në Shqipëri dhe të përmes bashkëpunimit të kapërcejmë sfidat dhe të ngremë institucione demokratike të forta”, u shpreh ajo.