RTSH 24 Live

Sociale

“Qytet i gjallë dhe ushqim i mirë”, Tirana plot me turistë të huaj

30/06/2024

“Qytet i gjallë dhe ushqim i mirë”, Tirana plot me turistë të huaj

Rrugët e Tiranës këtë të diel (30 qershor) janë të mbushura me turistë të huaj, të cilët mesa duket kanë sfiduar temperaturat e larta dhe kanë zgjedhur të eksplorojnë kryeqytetin shqiptar.

Grupet e turistëve në Tiranë i sheh me aparate fotografike në duar ku fokusojnë ndërtesat dhe pikat më interesante që kryeqyteti ofron. Në intervistat që dhanë për RTSH, ata u shprehën se Tirana i pëlqen shumë, ka gjallëri, ndërtesa të bukura, njerëz të sjellshëm dhe ushqim të mirë.

“Më pëlqejnë shumë ndërtesat këtu në Tiranë. Edhe moti është shumë i mirë jo si në vendet e tjera”, shprehet turisti.

“Është vërtet këndshëm këtu. Do të provojmë edhe ushqimin tradicional”, shprehet një tjetër.

“Një qytet vërtet shumë i bukur. Vijmë për herë të parë në Tiranë, kemi takuar njerëz shumë të sjellshëm. Vërtet mund të vish dhe të shijosh një fundjavë me pushime”, shprehet turisti nga Italia.

Sipas statistikave, numri i turistëve që mbërrijnë në Shqipëri krahasuar me një vit më parë është rritur ndjeshëm, teksa pritet që edhe sezoni i verës të jetë po aq frytdhënës.